Probleme me internet në qendrën e vaksinimit, qindra gjilanas u kthyen pa e marrë vaksinën

Në qendrën e vaksinimit në Gjilan shumë qytetarë nuk kanë mundur t’i marrin vaksinat anti-COVID-19 sipas terminit të tyre.

Krejt kjo për shkak të problemeve me internetin në qendrën e vaksnimit.

Në raportimet e tyre në KALLXO.com, qytetarët kanë thënë që për shkak të mungesës së internetit për më shumë se 2 orë janë krijuar radhë të gjata në qendrën e vaksinimit dhe shumë prej tyre janë kthyer mbrapa pa u vaksinuar.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Gjilanit, Selami Xhemaili, ka pranuar se në qendrën e vaksinimit kanë pasur problem me rrjet, duke theksuar që kjo nuk është hera e parë.

“Kam pasur vërejtje nga qytetarët, interneti menaxhohet nga komiteti për imunizim, gjegjësisht nga Ministria e Shëndetësisë, dhe edhe kur kanë qenë terminet e mbyllura i kemi dhënë vërejtjet tona. Të njëjtin shqetësim e kemi pasur para 10 ditësh. Po ashtu edhe sot e kemi pasur të njëjtin problem dhe përmes zyrtarëve tanë në linjat e komunikimit e kemi kontaktuar komunitetin për imunizim që të intervenohet”, tha Xhemaili për KALLXO.com

Ismet Uruqi udhëheqës i qendrës për vaksinim në Gjilan e ka konfirmuar se sot kanë pasur problem me internet.

“Ka pasur problem prej orës 15:00 deri në ora 19:00. Qytetarët nuk kanë mundur të marrin vaksinat gjatë kësaj kohe sepse nuk mund të regjistrohen. Që nga fillimi i vaksinimit nuk kemi pasur problem të tillë. Vetëm më 5 korrik ka pasur, ditëve të tjera ka problem 3 deri 4 minuta”, tha ai.

Uruqi tha se qytetarët që nuk kanë mundur të vaksinohen sot mund të vaksinohen nesër.

“Lidhja e sallës tonë dhe serverit ka pasur telashe. Qytetarët mund ta marrin vaksinën nesër. Ka mundësi që janë kthyer rreth 400 persona pa marrë vaksinën. Problemi është te serveri. Furnizim me vaksina kemi mjaftueshëm”, tha ai.

Drin Podrimqaku, këshilltar politik i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, tha që edhe nëse ka pasur probleme me internet, vaksinimi është dashur të vazhdojë.

“Unë nuk e kam këtë informacion, por ekipet e vaksinimit janë udhëzuar që edhe kur ka pengesë në pajisje ose në internet mos me u ndal procesi i vaksinimit, pasi që ekipet e vaksinimit janë pajisur me dokumente ku të gjithë dokumentacionin mund të plotësojnë në blloqet e protokollit, edhe më pas munden me u siguru me kartonët e vaksinimit, por kjo nuk mund ta pengojë procesin”, tha ai.

Podrimqaku tha që nesër do ta vizitojnë Gjilanin për të parë se cili është problemi.

“Nuk e di çfarë e ka shkaktuar këtë telash, por kjo nuk është dashtë me e ndalu procesin e vaksinimit. Nesër në mëngjes ekipet do të vizitojnë Gjilanin për të parë se ku qëndron problemi”, tha ai.