Drejtori i Onkologjisë raporton për furnizimin me barna e numrin rekord të rasteve me tumor

Furnizimi me barna nga lista esenciale në Onkologji është rreth 92%, përderisa gjatë vitit 2023, furnizimi ka qenë mbi 80-85% në vazhdimësi. Kështu të paktën tha drejtori i kësaj klinike, Ilir Kurtishi, gjatë raportimit të tij para bordit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, më 09.03.2024.

Në këtë mbledhje, Kurtishi ka folur edhe për numrin rekord të rasteve të reja me tumor, tumoret më të shpeshta, shërbimet e ofruara, numrin e shtretërve, renovimin, referimet jashtë vendit, ikjen e infermierëve.

Shtatë barna onkologjike që janë pjesë të Listës së Barnave Esenciale nuk kanë autorizim marketingu në Kosovë, prandaj nuk kanë mundur të furnizohen me to, sipas Kurtishit. Mirëpo, ai tha se presin që brenda marsit të vijnë përmes UNICEF-it, në kuadër të marrëveshjes me Ministrinë e Shëndetësisë.

“Për herë të parë, klinika do të ketë rreth 97-98% të të gjitha barnave të listës esenciale” – tha Kurtishi.

Kreu i Onkologjisë tha se do të kërkojnë edhe shtimin e disa barnave të tjera dhe rritjen e indikacioneve në Listën e Barnave Esenciale.

KALLXO.com më 07.12.2024 ka raportuar për mungesën dyjavore të një produkti që lufton kancerin.

Kjo klinikë është streha që trajton shumicën dërmuese të pacientëve me tumor e kancer në Kosovë. Siç tha Kurtishi, në Kosovë është vetëm edhe një spital privat që ofron shërbime onkologjike, që sipas tij janë 0.05% të shërbimeve në krahasim me ato që ofrohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Ndërkaq, në Spitalin e Prizrenit, onkologët shkojnë një herë në muaj për të dhënë terapi për pacientët me kancere të prostatës dhe të gjirit.

Viti rekord  

Viti 2023 ka shënuar numër rekord sa i përket numrit të pacientëve me tumor, sipas Ilir Kurtishit. Ai tha se janë regjistruar 2 mijë 127 raste të reja të tumoreve solid te të rriturit. Këtu nuk përfshihen tumoret te fëmijët dhe tumoret hematologjike që trajtohen nga Klinikat e Pediatrisë apo Hematologjisë.

Tumori i gjirit është dominuesi. Kurtishi prezantoi në përqindje tumoret më të shpeshta, ku ai i gjirit, si entitet i vetëm është 22 për qind. Ndërsa, 26 për qind të tumoreve janë ato urogjenitale (organet gjenitale dhe sistemi urinar) ku përfshihen veshkat, fshikëza urinare, pelvisi, testiset, prostata, mitra, qafa e mitrës dhe vezoret. E në rend të tretë me 23 për qind janë tumoret e tubit tretës. Tumoret e kokës, të qafës dhe të lëkurës janë 16 për qind e të mushkërive 13 për qind nga totali i rasteve.

Të ndara veç e veç, ai tha se tri tumoret më të shpeshta janë ai i gjirit, mushkërive e zorrës së trashë.

Sipas raportimit, kjo klinikë që numëron 45 shtretër e 19 specialistë, gjatë vitit 2023 ka ofruar 257 mijë shërbime kimioterapike, 34 mijë e 550 radioterapike e 606 psikologjike.

Thuajse 38 mijë aplikime të citostatikëve – medikamente që përdoren për të ndaluar ose ngadalësuar rritjen e qelizave kancerogjene – janë ofruar për pacientët e Onkologjisë gjatë vitit që shkoi.

Kurtishi tha se brakiterapia, si shërbim i ri në klinikë është ofruar për 212 pacientë. Ai shtoi se lista e pritjes për radioterapi aktualisht është 0.

“Përdoret për trajtim të kancerit të mitrës, qafës së mitrës ose vaginës. Mund të përdoret edhe në kancere të tjera, mirëpo stafi ende nuk është i trajnuar” – tha ai.

Brakiterapia është një lloj trajtimi i kancerit që përfshin vendosjen e burimeve radioaktive direkt brenda ose shumë afër tumorit.

Kreu i kësaj klinike tha se numri i referimeve jashtë vendit, gjatë 2023 ka qenë 12, prej tyre 4 me kërkesë të klinikave të tjera të cilat nuk kanë mundur të bëjnë operacione të caktuara.

Renovimi që synon t’i zvogëlojë sfidat

Mëngjeset në Klinikën e Onkologjisë janë të stërngarkuara me njerëz. Pacientët shkojnë që në orët e hershme të mëngjesit në pritje për të marrë shërbime. Për shkak të gjendjes së tyre të rënduar fizike e emocionale, shumica prej tyre janë të shoqëruar me më shumë se një familjar. E, kjo sipas Kurtishit ndikon në krijimin e tollovisë.

Mungesa e dixhitalizimit, sipas Kurtishit ua ka pamundësuar caktimin e termineve për pacientë.

“Kemi provu në mënyrë manuale, por nuk ka funksionu. Të gjithë pacientët vijnë në të njëjtën kohë, në orën 6:30 klinika veç mbushet. Të gjithë pacientëve nga ora 7:30 ose 8 kur ju lëshohet terapia, në orën 11:30 – 12:00 i marrin të gjitha ato të nevojshme, përpos rastet që marrin kemioterapi, që zgjat me orë” – tha Drejtori i Onkologjisë.

Një sfidë tjetër në punën e tyre, Kurtishi tha se janë prishjet e aparaturave mjekësore dhe vonimi i riparimeve.

Ai beson se lidhja e kontratave më afatgjata do të mund ta zgjidhte problemin e vonimit të riparimeve.

Gjatë dy muajve të parë të këtij viti, nga kjo klinikë janë larguar tre infermierë, për të punuar jashtë vendit, siç tha Kurtishi.

Për të përmirësuar infrastrukturën në klinikë, e rrjedhimisht edhe trajtimin e pacientëve ShSKUK ka nënshkruar kontratë për renovimin e klinikës në vlerë mbi 557 mijë euro.

Renovimi është në proces e sipër, i cili pritet të rezultojë me dyfishimin e shtretërve, hapësira më moderne, vendosjen e ventilimit qendror, të munguar deri më tani e ulje të pritjes së pacientëve.

 

ShSKUK synon që në të ardhmen të blejë robotë për përgatitjen gjysëmautomatike të citostatikëve, Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi tha se kjo do të përmirësonte cilësinë, dozimin dhe qëndrueshmërinë e terapisë dhe do të ulte rrezikun potencial që mund të shkaktojë thithja e ajrit të citostatikëve nga stafi.