Valmir Sahiti - Drejtor i Kulturës në Komunën e Vitisë

Drejtori i Kulturës në Viti: Komunat nuk janë ftuar në hartimin e Strategjisë për parandalimin e ekstremizmit

Drejtori i Kulturës në Komunën e Vitisë, Valmir Sahiti, ka thënë se komunat nuk janë ftuar në hartimin e Strategjisë së re për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, ku po diskutohet për planet për parandalimin e terrorizimit, Sahiti ka thënë se kjo mund të paraqesë problem në të ardhmen.

Ai ka thënë se nuk e di nëse në draftimin e kësaj Strategjie janë ftuar Asociacioni i Komunave të Kosovës.

“Në vazhdimësi ka munguar një hallkë e zinxhirit komunikues mes institucioneve qendrore dhe lokale. Është në proces finalizimi dhe hartimit i Strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm por në ketë proces komunat nuk janë ftuar fare, gjë që paraqet problem në të ardhmen. Nuk e di nëse janë të ftuar Asociacioni i Komunave” – ka thënë ai.

Sahiti tutje ka thënë se komunat janë të parat që përballen me këto probleme.

Ai ka shtuar se institucionet qendrore kanë rol të madh në ofrimin e mbështetjes me buxhet për të implementuar këto strategji.

“Natyrisht unë besoj që institucionet qendrore përveç hartimit të strategjive një rol tepër të madh duhet t’i japin edhe mbështetjes me buxhet të komunave në implementimin e këtyre strategjive, trajnimit të stafit komunal”- ka thënë drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Viti.

Sahiti tutje ka folur për aktivitetet që zhvillon Komuna e Vitisë lidhur me parandalimin e ekstremizmmit dhe radikalizmit.

“Kemi pasur fushata vetëdijesuese në shkolla të mesme të Vitisë ku kanë marrë pjesë OSBE, KFOR-i amerikan, Policia e Kosovës dhe KVRL lokal edhe kemi zhvilluar fushata ku tema boshte ka qenë luftimi dhe parandalimi i terrorizmit”- ka thënë ai.

Ai tutje ka thënë se pajtohet që tashmë është koha që komunat të bëhen pjesë e kësaj Strategjie dhe të kontribuojnë në ketë strategji, e po ashtu të merren me identifikimin e OJQ-ve.

Sahiti tutje ka shtuar se kjo Komunë ka planifikuar rritje të buxhetit për kulturë, rini dhe sport deri në 100 për qind.

“Komuna e Vitisë ka planifikuar rritje të buxhetit për kulturë, rini dhe sport në nivelin 100 për qind, pra prej 50 në 100 mijë euro. Në mënyrë që kultura, rinia dhe sporti të jenë tamam prioritet i qeverisjes lokale dhe përmes rritjes së këtyre subvencioneve do të ndikojmë në rritjen e aktiviteteve kulturore dhe sportive të rinisë”- ka thënë tutje ai.

Sahiti ka pranuar se Komuna e Vitisë nuk ka bërë planifikime adekuate për çështjen e aktiviteteve që parandalojnë terrorizmin.

Por, ai ka thënë se Komuna do të motivojë organizatat joqeveritare që të aplikojnë me projekte konkrete të cilat e kanë synim parandalimin e ekstremizmit.