Drejtori i Gjinekologjisë në QKUK: Nuk është ndërruar asnjë foshnje

Mediat në Kosovë sot kanë raportuar për mundësinë e ndërrimit të një foshnjeje në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK).

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, i cili ka mohuar se ka pasur ndërrim të foshnjeve. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka filluar hetimin e rastit.

“Nuk është ndërruar asnjë foshnje. Është keqinterpretim sepse kanë lindur dy foshnje menjëherë, foshnja që ka vdekur e kësaj pacientes, gjatë operacionit ka qenë me gjendje të rëndë, me tension të lartë, ka qenë shkolitje e placentës d.m.th aty ku furnizohet me gjak bebja brenda atëherë edhe nuk mundet me jetu. Nuk ka shansë me u ndërru bebja sepse menjëherë i vendoset numri i dorës dhe secila mami e ka beben e vet”- ka deklaruar Ndrejaj për KALLXO.com.

Tutje Ndrejaj ka thënë se këtu ka ndodhur një keqinterpretim për shkak se siç tha ai infermierja e ka lajmëruar prindin e gabuar për vdekjen e foshnjës.

“Infermierja që e ka dhënë informatën, që nuk ka pasur të drejtë ta japë, ajo e ka marrë beben duke mendu që është bebja e palës tjetër sepse nuk e ditur që burri që ka qenë duke pritur është babai i bebes që ka vdekur, pra burri i gruas që ka qenë në operacion. Ata e kanë keqinterpretuar edhe kanë thanë se pse njëherë na doli bebja e gjallë e tash po del e vdekur. Këtu është problem. Për beben që ka vdekur është njoftuar edhe nëna gjatë operacionit sepse ka qenë në gjendje të vetëdijshme sepse ka qenë me anestezion lokal. Nëna e din, por babai nga emocionet ka dhënë deklaratë në Polici”, ka deklaruar Ndrejaj për KALLXO.com.

Ndrejaj ka treguar për KALLXO.com se infermierja e që e ka dhënë lajmin është infermiere në Klinikën e Neonatologjisë dhe jo në Klinikën e Gjinekologjisë.

KALLXO.com ka kontaktuar Policinë e Kosovës të  cilët kanë deklaruar se rasti ka filluar të hetohet mbrëmë rreth orës 22:00 me autorizimin e prokurorit të shtetit.

Sipas Policisë, është duke u zhvilluar hetim në drejtim të veprës penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.

“Hetimi ka ardhur si rrjedhojë e denoncimit të bërë pranë policisë nga ankuesi i cili ka ngritur dyshimet për trajtim të pandërgjegjshëm, ndaj klinikës ku është realizuar lindja. Dyshimet janë ndërlidhur me informimin e menjëhershëm pas lindjes se foshnja e tij është pa shenja jete, informacion ky i pranuar nga ana e personelit të klinikës përkatëse”- thuhet në përgjigjen e Policisë.

Policia ka treguar po ashtu se trupi i pa jetë i foshnjes është dërguar për obduksion.