Bedri Durak, seanca 08.11.2023

Dosja ndaj zyrtarit të Këshillit Gjyqësor, akuzohet për falsifikim të dokumentit zyrtar

Bedri Duraku, ish-Koordinator i Panelit të Lirimit me Kusht, është ulur në bankën e të akuzuarit edhe njëherë para se të shpallet aktgjykimi ndaj tij këtë javë.

Ai është i akuzuar nga prokuroria se në korrik të vitit 2016 kishte përpiluar shkresë me përmbajtje të rreme, aktin 3 faqësh pa autorizim për vazhdimin e mandatit të Panelit për Lirim me Kusht, e kishte ndryshuar përmbajtjen e këtij akti duke i’a ka modifikuar faqen e tretë duke ia hequr bazën ligjore.

Sipas dosjes së prokurorisë kjo shkresë ishte e nënshkruar nga i akuzuari dhe dy shkresat në fjalë kishin pasur numrin e njëtë të protokollit 01/605 të datës 16.09.2015.

Dokumenti i modikifuar sipas prokurorisë ishte dërguar në mbledhjen e KGJK-së, dhe në bazë të tij është ndërprerë mandati të dëmtuarës Emine Kaçiku – si kryesuese e Panelit të Lirimit me Kusht, më 21 korrik të vitit 2016.

E dëmtuara nuk u paraqit në seancën e së mërkurës, e njëjta nuk kishte shprehur dëshirë të vinte më dhe nuk do të parashtrojë kërkesë pasurore juridike – njoftoi gjykatësi Agim Kuçi.

Në fjalët përfundimtare, prokurori Borovci tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, e ndaj tij përveç dënimit kryesor kërkoi t’i shqiptohej edhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike – si dënim plotësues.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Naim Rudari tha se gjykata duhet të shpallë aktgjykim lirues për klientin e tij ngase nuk ka mundur të vërtetohet sipas tij se është kryer vepra penale.

Sipas avokatit Rudari, i akuzuari Duraku nuk kishte përpiluar asnjë akt me përmbajtje të rreme, si kusht që të kishte vepër penale të falsifikimit.

“Ka bërë vetëm një përshkrim, asnjëra nga shkresat nuk ka pasur elemente të fakteve të rreme” – tha Rudari në seancë.

Trupi gjykues në këtë çështje përbëhet nga Agim Kuçi – kryetar, Ngadhnjim Arrni dhe Medije Bytyqi.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet të premten, më 10 nëntor.