Foto: Ilustrim

Dosja e Prokurorisë: Si dyshohet oficeri korrektues se mori ryshfet për futjen e gjërave në qeli

Oficeri i shërbimit korrektues në Prizren, Bajram Rexhaj ka përfunduar në paraburgim, pasi që i njëjti po dyshohet se ka marrë ryshfet për futjen e disa gjërave të ndaluara për të paraburgosurit.

KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë në të cilën përshkruhen dyshimet e para ndaj oficerit korrektues për veprat penale keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe marrje e ryshfetit.

Prokuroria e Prizrenit ndaj Rexhajt kishte filluar hetimet me datë 31 janar 2022 për shkak të dyshimit të veprës penale keqpërdorimi i detyrës zyrtare, kurse, pas zbatimit të masave të fshehta pasi disa herë i njëjti ka futur gjëra të ndaluara në qeli prokuroria ka bërë zgjerimin e hetimeve për marrje e ryshfeti.

Dosja e Prokurorisë thotë se në janar të këtij viti, i pandehuri duke e shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare kërkon nga një i burgosur para me qëllim që t’i mundësojë futjen e numrave dhe telefonave mobil brenda qendrës së paraburgimit.

“I njëjti nga disa të burgosur të cilët gjenden në vuajtje të dënimit në qendrën korrektuese të Prizrenit, kërkon para në shumën prej 50-100 euro, me qëllim që të njëjtëve t’i mundësojë futjen e numrave dhe telefonave mobilë brenda qendrës në kundërshtim me ligjin”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Më tej dosja sqaron se pasi i njëjti disa herë ka futur gjëra të ndaluara të cilat ia ka dorëzuar personave që kanë qenë në vuajtje të dënimit, Prokuroria vendosi që të aplikojë masën e simulimit të veprës së korrupsionit.

Pas aplikimi të kësaj mase, prokuroria ka arritur që ta arrestojë në flagrancë të dyshuarin.

“Më 16 mars 2022, gjatë aplikimit të masës së simulimit i pandehuri në pompën e derivateve ‘…’ ka pranuar 50 euro me qëllim që të fusë gjëra të ndaluara si: numër telefoni, dy kartela mbushëse nga 5 euro dhe një parfum për një të paraburgosur”, theksohet në dosje.

Me qëllim të zgjerimit të hetimeve dhe mbledhjes së provave për ngritjen e aktakuzës, Prokuroria ka konsideruar se është i arsyeshëm zgjerimi i hetimeve duke filluar nga data 17 mars 2022.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për këtë rast.

Shërbimi Korrektues i Kosovës më datën 16 mars, pas informacioneve të marra e ka suspenduar të pandehurin.

Ndaj tij gjykata gjithashtu ka caktuar edhe masën e paraburgimit.

30 ditë paraburgim për oficerin korrektues në Prizren