30 ditë paraburgim për oficerin korrektues në Prizren

Gjykata e Prizrenit ka caktuar 30 ditë paraburgim për oficerin korrektues në Prizren, Bajram Rexhaj i cili dyshohet se ka kryer veprat penale keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe marrja e ryshfetit.

I pandehuri Rexhaj, oficer i shërbimit korrektues në Prizren kishte përfunduar nën pranga gjatë ditës së martë (16 mars 2022), pasi i njëjti dyshohet se ka mundësuar futjen e disa gjërave të ndaluara për një person të paraburgosur, siç janë telefonë, numra, parfum.

Lidhur me këtë rast, prokuroria  e Prizrenit kishte filluar hetimet me datë 31 janar 2022 për shkak të dyshimit të veprës penale keqpërdorimi i detyrës zyrtare, kurse pas zbatimit të masave të fshehta prokuroria ka bërë zgjerimin e hetimeve për marrje e ryshfeti.

Në vendimin për caktimin e paraburgimit që KALLXO.com ka siguruar, thuhet se masa e paraburgimit është e arsyeshme duke pasur parasysh peshën, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale.

Në seancën dëgjimore të mbajtur më datë 17 mars 2018, prokuroria ka paraqitur kërkesën për caktimin e paraburgimit ku ka deklaruar se në rastin konkret janë përmbushur të gjitha arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase.

“Duke vlerësuar peshën e veprës penale e cila bën pjesë në kapitullin e veprave panele kundër detyrës zyrtare të cilat janë në rritje e sipër në Republikën e Kosovës, nga pasojat e të cilave vepra afektojnë në uljen e imazhit të institucioneve që ushtrojnë funksione publike, si dhe nga provat është vërtetuar se i pandehuri në vazhdimësi është sjellë në mënyrë të njëjtë me lënien e tij në liri ai mund ta përsërisë apo të vazhdoj veprën penale”, ka thënë prokurorja Ervehe Gashi.

Ndërkaq, masën e paraburgimit e ka kundërshtuar i pandehuri Bajram Rexhaj dhe mbrojtësja e tij, Dafina Osmani.

Osmani gjykatës i ka propozuar që të zbatojë ndonjë masë tjetër alternative duke shtuar se nuk janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore për caktimin paraburgimit.

“I pandehuri ka qenë bashkëpunues, ka shprehur pendesë të thellë  si dhe ka punuar mbi 20 vite në shërbimin korrektues. Duke qenë i suspenduar ai nuk mund ta kryejë apo përsërisë këtë vepër”, ka thënë avokatja.

Kurse, i pandehuri Besim Rexhaj mbështeti fjalën e Osmanit duke cilësuar se ai ishte vënë në kurth.

“Sipas të gjitha gjasave këtu në cilësinë e zyrtarit të shërbimit korrektues është bërë një kurth nga ana e personave të caktuar të cilët nuk kanë lënë hapësirë që t’i rezistoj veprimeve të tyre, por të njëjtit në mënyrë të organizuar kanë hetuar veturën time ku kam qenë unë”, ka deklaruar Rexhaj.

Masa e paraburgimit ndaj të pandehurit Rexhaj do të llogaritet nga koha e arrestimit 16 mars 2022 dhe do të vlejë deri më 16 prill 2022.