Dosja e Prokurorisë: Hetuesit e Krimeve Ekonomike morën ryshfet nga grupi i basteve

Prokuroria e Prishtinës ka ngritur sot aktakuzë ndaj dy hetuesve të Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, Lavdim Osmani, Lutfi Menxhiqi.

Osmani e Menxhiqi, po akuzohen nga Prokuroria se ishin arrestuar në flagrancë gjatë kryerjes së veprave penale. Ata po akuzohen se më 5 shkurt 2020, gjatë arrestimit ishin kapur në flagrancë nga Policia e Kosovës dhe të njëjtëve iu kishin sekuestruar 15 mijë euro, armë dhe pajisje të ndryshme elektronike.

“Pas hetimit të gjatë nga Policia personat në fjalë janë arrestuar për keqpërdorim të pozitës dhe pranim ryshfeti nga biznese të ndryshme. L. O .dhe L. M. punonin në drejtorin për Hetime të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, për veprat penale të cilat u vihen në barrë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

“Të pandehurit janë arrestuar më 5 shkurt 2020, pasi janë zënë në flagrancë gjatë kryerjes së veprave penale. Gjatë arrestimit te të pandehurit janë sekuestruar para rreth 15,000.00€ (pesëmbëdhjetë mijë euro), armë  dhe pajisje të ndryshme elektronike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Pas një hetimi të gjatë, të njëjtit janë arrestuar pasi që kanë shfrytëzuar pozitat e tyre si hetues në DHKEK dhe kanë pranuar ryshfet nga biznese të ndryshme.

Kallxo.com kishte raportuat në muajin shkurt 2020 lidhur me arrestimin e dy hetuesve, Lavdim Osmani, Lutfi Menxhiqi, pasi dyshoheshin se iu kishin marrë ryshfet bizneseve të basteve.

Hetuesi i lartë, Lavdim Osmani, ishte kapur në vepër me 1,450 euro që dyshohet se i ka marrë ryshfet.

Ndërsa, hetuesit tjetër, Lutfi Menxhiqi, siç merr vesh KALLXO.com, i janë gjetur 9 mijë euro ‘cash’ dhe dy Kallashnikovë në shtëpi.

KALLXO.com kishte raportuar në vazhdimësi për aksionin e arrestimit të hetuesve policor të Krimeve Ekonomike, nga Inspektorati i Policisë së Kosovës.