Foto-ilustrim

Dosja e grupit të dyshuar kriminal: Këto janë armët që u gjetën nga Policia

Katër persona janë arrestuar mbi dyshimet për përfshirjen në një grup kriminal që në këmbim të parave kryente vepra të ndryshme penale.

Një e tillë sipas Prokurorisë së Prishtinës ishte planifikuar të ndodhte që nga shtatori i vitit 2022.
Dy prej të arrestuarve, Driton Sylejmani dhe Hysni Hoxha gjatë bastisjes, sipas dosjes së Prokurorisë i janë gjetur një mori armësh pa leje.

Sipas dosjes, Driton Syljemanit i është gjetur një revole e kalibrit 7.62mm, 5 plumba me po atë kalibër, një karikator i pistoletës, një palë dylbi, një shkop druri dhe një sëpatë e vogël.

Në dosjen e Prokurorisë, thuhet se të pandehurit Hysni Hoxha, i është gjetur një pistoletë Sig Sauer 1911, një pistoletë tjetër, 12 fishekë kalibër 45 mm, një karikator i pistoletës me mbishkrimin panted, 3 fishekë me kalobër 43 mm, një pushkë gjuetie, një pushkë ajrore, 4 paketime kutia me diabolla të kalibrit 405 mm, 3 fotrolla për pistoletë, një pistoletë EKOL, karikator për të dhe fotrollë për të, 2 thika ,2 dylbi, karikatorë pistolete, një RC12,karikatorë me 23 fishekë kalibër 9mm.

Dosja të cilën e ka siguruar KALLXO.com përshkruan se i dyshuari Driton Sylejmani së bashku me të dyshuarin Xhevdet Mehanja kishin marrë 10 mijë euro nga i dyshuari Hysni Hoxha që ta privonin nga jeta V.D i cili ishte miku (vëllai i gruas së djalit) i këtij të fundit.

Përpos këtij rasti Driton Sylemani dyshohet të ketë marrë para edhe në kryerjen e veprave të tjera penale. Sipas dosjes së Prokurorisë, Sylemani kishte marrë para nga disa persona të panjohur për t’i vënë zjarr biznesit Sirius Wine Sh.P.K. Në këmbim të këtij shërbimi ai dyshohet t’i ketë marrë 4 mijë euro.
Një tjetër rast për të cilën dyshohet është edhe plagosja e F.V, në tetor të vitit 2022 në Sllatinë të Fushë Kosovës.

Me urdhër të prokurorit janë bastisur shtëpitë e të dyshuarve ku edhe janë gjetur armë të ndryshme duke përfshirë revole, pushkë ajrore, dylbi, thika, fishekë, dhe pjesë të armës Karabinë.

Ndaj katër të arrestuarve Driton Sylejmani, Xhevdet Mehanja, Hysni Hoxha dhe Tefik Shalaku është kërkuar masa e paraburgimit pasi mbi ta rëndojnë dyshimet se kanë kryer vepra të ndryshme penale si vrasje në tentativë, detyrim, lëndim i rëndë trupor, zjarrvënie dhe armëmbajtje.

Ata u arrestuan në një operacion të gjerë policor në të cilin mori pjesë edhe njësiti më special i Policisë së Kosovës “NJSI” pasi katër të arrestuarit vlerësoheshin me rrezikshmëri të lartë.

Në njoftimi policor përshkruhet se gjatë kontrollit dhe bastisjeve të kryera në prona dhe shtëpi banimi, në cilësi të provave materiale janë sekuestruar disa armë e një shumë e konsiderueshme e parave.