Dosja demanton Prokurorinë e Prishtinës për rastin e Morena Tarakut

Prokuroria e Prishtinës në një reagim të saj gjatë ditës ka tentuar të hedhë pluhur mbi dosjen e veturës së Morena Tarakut.

Në një njoftim për media, Prokuroria ka vlerësuar se hetimet në këtë rast janë duke vazhduar pasi sipas njoftimit Prokuroria me një autorizim e kishte udhëzuar Doganën të pyeste tek autoritetet gjermane për disa të dhëna rreth makinës.

Por, në fakt dokumenti në të cilën Prokuroria thirret  kishte arritur në përfundime që vetura duhet të zhdoganohet si e re, ajo duhet t’i lirohet pronares ndërsa Dogana mund të kërkonte të dhëna nga autoritetet gjermane për të hequr dilemat.

Në njoftimin e saj Prokuroria thotë se “informacioni i shpalosur është i rremë” dhe informatat e publikuara në media nuk përputhen me gjendjen faktike dhe juridike në rastin konkret.

KALLXO.com ka raportuar duke u bazuar në përmbajtjen e dokumentit të Prokurorisë Themelore, i cili kërkon  nga Dogana që me rastin e zhdoganimit “vetura duhet të trajtohet si e re”. Përveç kësaj, Prokuroria konstaton se “nuk ka elemente të veprës penale” dhe se “vetura nuk është e nevojshme të mbetet në mbikëqyrje doganore”, por e njëjta duhet të zhdoganohet në kohë sa më të shkurtë.

Krejt në fund pas tërë këtyre konstatimeve dhe urdhrave për Doganën Prokuroria kërkon që të kontaktohen autoritetet gjermane për të parë nëse vetura është lëshuar në qarkullim në Gjermani.

Prokuroria e Prishtinës në reagimin e lëshuar, të hënën, thotë se dokumenti i lëshuar për Doganën e Kosovës ka qenë një dokument në bazë të të cilit Dogana është dashur të ndërmarrë veprime hetimore për rastin e importimit të veturës në vlerë 235 mijë euro.

“Dokumenti në fjalë-autorizimi, është dokument zyrtar, i cili i është dhënë hetuesve doganorë, në bazë të të cilit të njëjtit kanë qenë të obliguar të ndërmarrin veprime hetimore për të zbardhur të vërtetën që ka të bëjë me zhdoganimin e veturës së markës “Bently”, që është përmendur në Raportin Informues. Ky dokument në asnjë mënyrë nuk ka guxuar të publikohet”, thuhet në reagimin e Prokurorisë së Prishtinës.

Por, dokumenti i lëshuar nga prokuroria Themelore e Prishtinës për rastin e Morena Tarakut thotë decidivisht që “Vetura duhet të trajtohet si e re” me rastin e zhdoganimit dhe se “nuk ka elemente të veprës penale”.

“Meqenëse në shkresat e lëndës nuk ka ndonjë dokument që vetura ka qenë në qarkullim nga data 22.07.2019 e deri më datë: 07.10.2019, Prokuroria konsideron se zhdoganimi i kësaj veture duhet të trajtohet si veturë e re. Andaj, konsiderojmë se nuk ka elemente të veprës: Shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore nga nenin 312 i KPRK-së. Për këto arsye, vetura në fjalë, Prokuroria konsideron se nuk është e nevojshme që më tutje të mbetet në mbikëqyrje doganore për çështje penale dhe në kohë sa më të shkurtër duhet të lejohet për zhdoganim sipas procedurave të rregullta doganore”, thuhet në shkresën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

E pasi e udhëzon Doganën që të zhdoganohet vetura si e re në kohë sa më të shkurtë dhe se në rast nuk ka çështje penale, prokurori e udhëzon Doganën që t’u shkruajë autoriteteve gjermane.

“Autorizoheni (drejtuar Doganës së Kosovës)  që për të hequr çdo dilemë rreth asaj se vetura në fjalë a duhet të trajtohet si e re apo si e përdorur t’i drejtoheni autoriteteve doganore të Gjermanisë që të konfirmojmë regjistrimin e datës 22 korrik është regjistrim vetëm një ditor për çështje procedurale apo vetura është lëshuar në qarkullim të lirë dhe është përdorur në Gjermani nga kjo datë”, thuhet në autorizimin e siguruar nga KALLXO.com.

Kallxo.com zbuloi një konfrontim në mes Prokurorisë së Prishtinës dhe Doganës së Kosovës rreth zhdoganimit të një makine “Bently” pronë e Morena Tarakut.

Hetuesit doganorë kishin në dorë një dokument nga Dogana e Kosovës e cila këtë makinë konform vlerësimeve doganore e cilësonte si makinë të përdorur, e cila duhet të paguante mbi 14 mijë euro taksë doganore.

Në anën tjetër Prokuroria i ka hyrë interpretimit të ligjit doganor duke arritur në konstatimin se kjo tarifë nuk duhet paguar.

Me datë 15 tetor, Dogana i kishte shkruar prokurorit të rastit duke i thënë se vetura duhet të trajtohet si e përdorur. Në këtë shkresë ishte konstatuar një komunikim verbal me prokurorin i cili i kishte udhëzuar hetuesit ta trajtonin makinën si të re.

Dokumenti sqaron edhe një herë qëndrimin e Doganës se makina është e përdorur dhe duhet të trajtohet si e tillë.

“Nga ana e zyrtarëve të shikimit në ZBD Prishtina kjo veturë është ndaluar për zhdoganim me arsyetimin se nuk është veturë e re, por e përdorur… Bazuar në këto konstatime nga ana e Doganës konsiderohet se vetura është e përdorur me ç ‘rast është bërë përmirësimi i DUD-it, dhe si e tillë i nënshtrohet pagesës së taksave doganore në vlerë prej 57,416.70 euro e jo 43,298 euro siç është deklaruar nga ana e Agjentit Doganor, pra kemi të bëmë me ndryshim prej 14,118.70 euro që konsiderohet se është shmangia nga pagesa tarifore”, thuhet në shkresën e dërguar nga Dogana te Prokuroria e Prishtinës.

Vetëm pas kësaj letre prokurori kishte dërguar autorizimin i cili sërish konstaton se vetura është e re dhe duhet t’i lirohet pronares ndërsa lë një kërkesë për të kontaktuar autoritetet gjermane.

Prokuroria Themelore e Prishtinës thotë se “informacioni i shpalosur është i rremë” dhe informatat e publikuara në media nuk përputhen me gjendjen faktike dhe juridike në rastin konkret.

“Sa i përket sinjalizuesve, Prokurori i Shtetit, respekton, mbron dhe zbaton Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, por në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me sinjalizuesit, siç është shkruar në media, për shkak se bazuar në nenin 10 paragrafi 1, nën paragrafi 1.3, të këtij ligji, sinjalizuesi nuk gëzon mbrojtje juridike nëse ka ose mund të ketë dijeni se informacioni i shpalosur është i rremë. Andaj, informatat e publikuara në media, nuk përputhen me gjendjen faktike dhe juridike në rastin konkret”, thuhet në reagimin e Prokurorisë së Prishtinës.

Por, lajmi i KALLXO.com është i bazuar vetëm në fakte. E këtë e thonë shkresat e lëndës në fjalë.

Për më tepër, në shkresën e Prokurorit të Shtetit thuhet se “zhdoganimi i kësaj veture duhet të trajtohet si veturë e re”, se “nuk ka elemente të veprës penale” dhe se vetura “nuk është e nevojshme të mbetet në mbikëqyrje doganore”, por e njëjta duhet të zhdoganohet në kohë sa më të shkurtë.

Në reagimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës thuhet se “autorizimi, është dokument zyrtar… Ky dokument në asnjë mënyrë nuk ka guxuar të publikohet”.

Në anën tjetër Prokuroria e Shtetit në dhjetëra raste deri më tani ka njoftuar publikimin për autorizime të ngjashme për hetime.

Shembull, Prokuroria ka njoftuar publikun me autorizimin e saj për të hetuar deklaratat e Ramiz Kelmendit rreth zgjedhjeve ndërsa dokumentet e hetimeve në vazhdimësi janë publikuar nga Prokuroria.

Vetëm gjatë javës së kaluar, Prokuroria e Prizrenit ka publikuar një dokument tepër të ndjeshëm për rastin e Astrit Deharit.