Dosja - Çka deklaruan shtatë policët dëshmitarë për rastin e keqtrajtimit të të riut brenda stacionit policor?

Dy zyrtarët policor, Haris Kelmendi e Agon Hyseni, Prokuroria Themelore në Prishtinë po i akuzon për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Ndaj policit Kelmendi është ngritur edhe një akuzë tjetër, ajo e pengimit të të provuarit.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm, më 02.04.2021, ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet H. K., në drejtim të veprave penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 195 të KPRK-së dhe “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, nga 386 të KPRK-së, si dhe ndaj personit me inicialet A. H., në drejtim të veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 195 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë dhënë për KALLXO.com.

KALLXO.com ka siguruar aktakuzën e plotë e ngritur nga ana e Prokurorisë në Prishtinë, ndërsa jepen detaje se çka kishte ndodhur orët e hershme të 26 qershorit të vitit 2018 dhe se pse po ngarkohen me veprat penale policët Kelmendi e Hyseni.

Kujtojmë se KALLXO.com kishte raportuar se hetimi dhe arrestimi i zyrtarëve policor Haris Kelmendi e Agon Hyseni erdhi pas sigurimit të një video- materiali ku shihet Kelmendi deri sa godet me shuplakë një të ri brenda stacionit policor “Qendra” në Prishtinë.

Video- materiali ishte siguruar gjatë hetimit të një rasti tjetër i cili ndërlidhet me lëndë narkotike e ku i dyshuar ishte edhe Enis Qerka, por edhe një zyrtar tjetër policor.

Pas ekzaminimit të telefonave të grupit të dyshuar për narkotik në atë kohë, ishte siguruar edhe materiali ku shihet Kelmendi deri sa ushtronte dhunë ndaj të riut L. R.

Tutje në aktakuzën që ka siguruar KALLXO.com tregohet se janë intervistuar gjithsej shtatë dëshmitarë të cilët kanë treguar në lidhje me ngjarjen.

Përveç dëshmitarëve janë intervistuar edhe të pandehurit por edhe viktima të cilën kanë rrëfyer ngjarjen e ndodhur 3 vite më parë.

Viktima L. R., ka deklaruar se rasti i ndodhur më 2018 i ka krijuar edhe frikë e ankth, ndërsa shpjegon se si ka rrjedhur e gjithë ngjarja.

Ai ka deklaruar në IPK dhe Prokurori se ditën kritike ishte thirrur në stacion për mosbindje të urdhrave të zyrtarëve policor. Ai ishte dërguar në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë.

Tutje viktima kishte deklaruar se po atë natë i njëjti kishte qenë me një shok të tij dhe kur kishin kërkuar zyrtarët policor që të ndalohej vetura ku gjendej viktima, ky i fundit nuk i ishte bindur urdhrave dhe pasi kishin tentuar të largohen nga vendi i ngjarjes kishin shkaktuar një aksident.

Pasi ishte shkaktuar aksidenti viktima ka deklaruar se është dërguar në polici ndërsa kishte mbajtur mend Agon Hysenin pasi që i njëjti siç ka pretenduar në prokurori, e ka goditur në fytyrë e trup e madje kishte nxjerrë armën zyrtare dhe i ishte drejtuar me fjalët “a është mirë që kështu po ua fusni alltinë njerëzve kur po i grabitni”.

Gjithmonë sipas aktakuzës, këto deklarata polici Agon Hysenit ia kishte bërë viktimës orët e hershme të mëngjesit të 26 qershorit, deri sa i njëjti i kishte futur në gojë armën viktimës L. R.

Tutje pas kësaj ngjarje viktima ka deklaruar se nuk e kishte kuptuar për çfarë grabitjesh ishte duke biseduar Agon Hyseni deri sa gjatë asaj kohe kishte shkuar edhe polici tjetër tashmë i akuzuar për dy vepra penale dhe i njëjti e kishte goditur me shuplakë por të gjithë procesin e dhunës fizike e kishte inçizuar me telefon.

Pasi ishte ankuar për zyrtarët policor, viktima L. R., ishte frikësuar që të shkoj sërish në stacionin e njëjtë kur ishte telefonuar, pasi kishte kujtuar ngjarjen të cilën kishte përjetuar nga Haris Kelmendi e Agon Hyseni.

Deklarata e policit Haris Kelmendi tregon se cilat veprime i kishte ndërmarrë pasi kishte ndaluar viktimën L. R. deri sa kishte shtuar se ky i fundit nuk kishte respektuar urdhrat policor për t`u ndaluar meqë ishte edhe me një person tjetër në veturë. Ai tutje kishte pranuar para hetuesve të IPK-së se ishte ai që shihet në video inçizim.

Deklarata në lidhje me ngjarjen u morën edhe nga disa zyrtarë të tjerë policor në cilësinë e dëshmitarëve.

Kujtojmë se Agon Hyseni u arrestua gjatë kohës sa po zhvilloheshin intervistat për identifikimin e personave që nuk kanë lajmëruar dhunën fizike të ndodhur brenda stacionit policor “Qendra” në Prishtinë.

Dëshmitari Q. T., zyrtar policor kishte deklaruar se kishte qenë në orar të punës në ditën kritike ndërsa nuk i kujtohej se kush ishte viktima i cili ishte shoqëruar fillimisht në polici.

Tutje ai kishte deklaruar se në lidhje me video- inçizimin nuk e kishte parë asnjëherë por arriti që të identifikoj zyrtarin policor që ishte përfshirë në rast.

Dëshmitari tjetër B. I., edhe ky zyrtar policor i cili ishte në orar të punës së bashku me Kelmendin e Hysenin ka deklaruar se nuk kishte dëgjuar atë natë për rastin e po ashtu nuk ishte në dijeni se kishte pasur edhe një video- inçizim deri sa shihej polici Haris Kelmendi duke goditur me shuplakë të riun L. R.

Zyrtari tjetër policor, dëshmitari B. B., kishte deklaruar se po atë natë kishte qenë në punë dhe në patrullim ndërsa nuk e njihte viktimën dhe nuk ishte në dijeni se kishte video- inçizim të dhunës fizike ndaj të riut.

Dëshmitar në këtë ngjarje ka qenë edhe mbikëqyrësi i ndërrimit C në atë kohë të zyrtarëve policor A. B. Ai kishte deklaruar se në orar të punës ishin më shumë se tetë zyrtarë policor.

Ai tutje ka deklaruar se nuk i kujtohet nëse në atë ditën kritike ka pasur persona të arrestuar në stacion policor ndërsa mohoi ta ketë parë video- inçizimin por pranoi se ka pasur një grup në viber ku është biseduar për punët e zyrtarëve policor gjatë ndërrimit C, disa raste edhe kanë bërë humor por nuk i kujtohet nëse videoja është publikuar në atë grup.

Dëshmitari tjetër G. S., zyrtar policor kishte deklaruar se hera e parë që kishte parë video- inçizimin derisa Haris Kelmendi godiste me shuplakë të riun L. R., ishte në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Ai kishte deklaruar edhe se nuk e dinte se kur ishte realizuar kjo video deri sa më vonë e kishte kontrolluar orarin kur ka qenë në punë dhe ka mësuar se në atë ditë ai nuk ka qenë në punë fare. Ai tutje kishte thënë para prokurorisë se video- inçizimi nuk ka qenë në telefonin e tij ani pse të njëjtin i kishin konfiskuar për shkak të një hetimi tjetër për narkotik ku ishte i përfshirë edhe ai.

Deklarata e E. Q., tregon lidhjen shoqërore mes tij, Haris Kelmendit e Agon Hysenit. E. Q., ka deklaruar se video ani pse ka dalë nga ekzaminimi i telefonit të tij, nuk e ka parë atë asnjëherë por nuk mohon faktin se e njëjta video është dërguar në ndonjë grup në viber ku janë edhe Kelmendi edhe Hyseni.

B. H., një dëshmitar tjetër hetues në IPK ka dëshmuar të gjithë procesin e sigurimit të video- inçizimit dhe punën hetimore që është bërë për të zbardhur rastin ku ishin të përfshirë tashmë të akuzuarit Haris Kelmendi e Agon Hyseni.

Deklarata e hetuesit të IPK-së zbardh se fillimisht ankesa e viktimës L. R., ka qenë për Agon Hysenin e jo për Haris Kelmendin.

Kujtojmë se pas veprimeve që kishte ndërmarrë Inspektorati Policor i Kosovës, ishin arrestuar Haris Kelmendi e Agon Hyseni ndërsa ishte suspenduar edhe eprori i tyre, A. B.

KALLXO.com në shkurt të këtij viti kishte transmetuar reportazhin ekskluziv me veprimet hetimore qe janë ndërmarrë për zbardhjen e keqtrajtimit te një të riu brenda njërit nga stacionet policore në Prishtinë.

I gjithë rasti kishte filluar kur nga telefoni i njërit nga personat për një rast të narkotikëve ishte gjetur një video- incizim ku shihet deri sa polici Haris Kelmendi e godet me shuplakë një të ri e ky i fundit nga forca bie mbi një karrige.

Fillimisht, një hetim disamujor i IPK-së me Prokurorinë Speciale në lidhje me konfiskimin e rreth 113 kilogramëve heroinë rreth tre vite më parë, vuri në pranga disa persona ndër ta edhe një zyrtar policor me inicialet G.S.

Nga të dyshuarit u konfiskuan telefonat ndërsa pas ekzaminimit të telefonit të zyrtarit policor që ishte përfshirë në rastin e drogës, u gjet një video- material në të cilën shihej një polic deri sa ushtronte dhunë fizike ndaj një të riu ndërsa gjithë ngjarja ishte incizuar nga kolegët e policit.

Video materiali në lidhje me dhunën fizike ishte ndarë nga procesi i hetimit për drogën ndërsa Inspektorati Policor i Kosovës, më saktësisht Divizioni për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit menjëherë kishin nisur punën për të marrë informacionet e para, ato se kur kishte ndodhur ngjarja, identifikimi i policit e madje edhe kolegëve të tij që kishin incizuar dhunën fizike me telefon e madje edhe për të gjetur viktimën e rastit.

“Sa je i gjatë? 1 e sa? Çoje kryet ma naltë. Drejtoje kryet”, dëgjohet polici deri sa i drejtohet të riut e më pas e qëllon me shuplakë të dorës ndërsa i riu nga forca bie mbi një karrige.

E gjithë kjo ngjarje ishte filmuar ndërsa më pas ishte dërguar në një grup të “Viber” ku ishin të gjithë policët e ndërrimit.