Shtyhet seanca ndaj dy policëve të akuzuar për keqtrajtimin e të riut në stacionin policor

Ka dështuar të mbahet seanca ndaj dy zyrtarëve policorë, Haris Kelmendi dhe Agon Hyseni, të akuzuar nga Prokuroria për keqtrajtim gjatë detyrës zyrtare.

Arsyeja e dështimit të kësaj seance është mungesa e mbrojtësit të Haris Kelmendit, Naim Rudari.

Avokati Rudari ka thënë për KALLXO.com se nuk ka mundur të marrë pjesë në këtë seancë.

“E kam njoftuar paraprakisht gjyqtaren Sulltane Hoti se mund të vonohem pak, pasi që më duhej të isha prezent në ceremoninë e hapjes së zyrës së Odës së Avokatëve, në cilësinë e nënkryetarit të Odës së Avokatëve. Pastaj mora vesh se gjyqtarja e ka caktuar seancën e radhës për datën 25 maj”, tha Rudari.

KALLXO.com ka siguruar aktakuzën e plotë të ngritur nga Prokuroria e Prishtinës ndërsa jepen detaje se çka kishte ndodhur në orët e hershme të 26 qershorit të vitit 2018 dhe se pse po ngarkohen me veprat penale policët Kelmendi e Hyseni.

Kujtojmë se KALLXO.com kishte raportuar se hetimi dhe arrestimi i zyrtarëve policorë Haris Kelmendi e Agon Hyseni erdhi pas sigurimit të një video-materiali ku shihet Kelmendi derisa godet me shuplakë një të ri brenda stacionit policor “Qendra” në Prishtinë.

Pamje ekskluzive nga hetimi ndaj policit që ushtroi dhunë fizike ndaj të riut në stacionin policor

Video-materiali ishte siguruar gjatë hetimit të një rasti tjetër i cili ndërlidhet me lëndë narkotike e ku i dyshuar ishte edhe Enis Qerka, por edhe një zyrtar tjetër policor.

Pas ekzaminimit të telefonave të grupit të dyshuar për narkotik në atë kohë, ishte siguruar edhe materiali ku shihet Kelmendi derisa ushtronte dhunë ndaj të riut L.R.

Tutje në aktakuzën që ka siguruar KALLXO.com tregohet se janë intervistuar gjithsej shtatë dëshmitarë të cilët kanë treguar në lidhje me ngjarjen.

Përveç dëshmitarëve janë intervistuar edhe të pandehurit por edhe viktima të cilën kanë rrëfyer ngjarjen e ndodhur 3 vite më parë.

Viktima L.R. ka deklaruar se rasti i ndodhur më 2018 i ka krijuar edhe frikë e ankth, ndërsa shpjegon se si ka rrjedhur e gjithë ngjarja.

Ai ka deklaruar në IPK dhe prokurori se ditën kritike ishte thirrur në stacion për mosbindje të urdhrave të zyrtarëve policorë. Ai ishte dërguar në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë.

Tutje viktima kishte deklaruar se po atë natë i njëjti kishte qenë me një shok të tij dhe kur kishin kërkuar zyrtarët policor që të ndalohej vetura ku gjendej viktima, ky i fundit nuk i ishte bindur urdhrave dhe pasi kishin tentuar të largohen nga vendi i ngjarjes kishin shkaktuar një aksident.

Pasi ishte shkaktuar aksidenti viktima ka deklaruar se është dërguar në polici ndërsa kishte mbajtur mend Agon Hysenin pasi që i njëjti siç ka pretenduar në prokurori, e ka goditur në fytyrë e trup e madje kishte nxjerrë armën zyrtare dhe i ishte drejtuar me fjalët “a është mirë që kështu po ua fusni alltinë njerëzve kur po i grabitni”.

Gjithmonë sipas aktakuzës, këto deklarata polici Agon Hyseni ia kishte bërë viktimës orët e hershme të mëngjesit të 26 qershorit 2018, derisa i njëjti i kishte futur në gojë armën viktimës L.R.

Tutje pas kësaj ngjarje viktima ka deklaruar se nuk e kishte kuptuar për çfarë grabitjesh ishte duke biseduar Agon Hyseni derisa gjatë asaj kohe kishte shkuar edhe polici tjetër tashmë i akuzuar për dy vepra penale dhe i njëjti e kishte goditur me shuplakë por të gjithë procesin e dhunës fizike e kishte incizuar me telefon.

Pasi ishte ankuar për zyrtarët policorë, viktima L.R. ishte frikësuar që të shkojë sërish në stacionin e njëjtë kur ishte telefonuar, pasi kishte kujtuar ngjarjen të cilën kishte përjetuar nga Haris Kelmendi e Agon Hyseni.

Deklarata e policit Haris Kelmendi tregon se cilat veprime i kishte ndërmarrë pasi kishte ndaluar viktimën L.R. derisa kishte shtuar se ky i fundit nuk kishte respektuar urdhrat policorë për t`u ndaluar meqë ishte edhe me një person tjetër në veturë. Ai tutje kishte pranuar para hetuesve të IPK-së se ishte ai që shihet në video-incizim.

Deklarata në lidhje me ngjarjen u morën edhe nga disa zyrtarë të tjerë policor në cilësinë e dëshmitarëve.