Arrestohet edhe një polic për rastin e keqtrajtimit të të riut
Edhe një zyrtar policor i përfshirë në rastin e keqtrajtimit të të riut me inicialet L.R., është ndaluar gjatë ditës së sotme.
Polici me inicialet A.H, po dyshohet për keqtrajtim të të riut në vitin 2018. A.H, është polici i dytë që po arrestohet dhe dërgohet në ndalim në lidhje me të njëjtin rast.
Fillimisht ai ishte suspenduar nga detyra pasi që dyshohej se kishte marrë pjesë në keqtrajtim dhe incizim i cili u publikua deri sa dukej polici tjetër me inicialet H.K., deri sa ushtronte dhunë ndaj një djali të ri në vitin 2018.
Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar në lidhje me vendimin për arrestimin dhe ndalimin e policit të dytë.
Sipas IPK-së, arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. I njëjti ishte suspenduar ditë më herët me rekomandim të IPK-së.
“Hetimi kishte filluar nga IPK kur përmes rrugëve operative hetuesit kanë siguruar një informacion (vide-incizim) në bazë të të cilit dyshohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga një zyrtar policor në Prishtinë. Ky është zyrtari i dytë policor i arrestuar lidhur me rastin e njëjtë pasi që IPK-ja kishte arrestuar edhe një zyrtar policor të dyshuar më 28.01.2021”, thuhet në njoftim.
IPK ka njoftuar se veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.
KALLXO.com kishte raportuar vazhdimisht në lidhje me rastin.
Polici i Njësisë Speciale të Reagimit të Shpejtë H. K., ishte arrestuar pasi u lirua fillimisht me urdhër të prokurorit për veprën penale keqtrajtim gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Polici tani po dyshohet edhe për një vepër tjetër, atë të pengimit të provuarit. Viktima dyshohet se kishte pranuar telefonata anonime të mënyrës frikësuese për ta tërhequr deklaratën ndaj policit të NJRSH-së.
Polici H.K., pas daljes para gjykatës në lidhje me masën e sigurisë, është dërguar në paraburgim për 30 ditë.