Pamje ekskluzive nga hetimi ndaj policit që ushtroi dhunë fizike ndaj të riut në stacionin policor

Një zyrtar policor me inicialet H.K., ishte arrestuar pasditen e 28 janarit nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj një të riu brenda stacionit policor “Qendra” në Prishtinë.

KALLXO.com sjell pamjet ekskluzive të hetimit të Prokurorisë në Prishtinë dhe Inspektoratit Policor të Kosovës, në identifikimin dhe arrestimin e zyrtarëve policorë të përfshirë në këtë rast.

Fillimisht, një hetim disamujor i IPK-së me Prokurorinë Speciale në lidhje me konfiskimin e rreth 113 kilogramëve heroinë rreth tre vite më parë, vuri në pranga disa persona ndër ta edhe një zyrtar policor me inicialet G.S.

Nga të dyshuarit u konfiskuan telefonat ndërsa pas ekzaminimit të telefonit të zyrtarit policor që ishte përfshirë në rastin e drogës, u gjet një video- material në të cilën shihej një polic deri sa ushtronte dhunë fizike ndaj një të riu ndërsa gjithë ngjarja ishte incizuar nga kolegët e policit.

Video materiali në lidhje me dhunën fizike ishte ndarë nga procesi i hetimit për drogën ndërsa Inspektorati Policor i Kosovës, më saktësisht Divizioni për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit menjëherë kishin nisur punën për të marrë informacionet e para, ato se kur kishte ndodhur ngjarja, identifikimi i policit e madje edhe kolegëve të tij që kishin incizuar dhunën fizike me telefon e madje edhe për të gjetur viktimën e rastit.

Gjatë intervistimit të policit G. S., të cilit iu gjet video- inicizimi në telefon, Foto: KALLXO.com

“Sa je i gjatë? 1 e sa? Çoje kryet ma naltë. Drejtoje kryet”, dëgjohet polici deri sa i drejtohet të riut e më pas e qëllon me shuplakë të dorës ndërsa i riu nga forca bie mbi një karrige.

E gjithë kjo ngjarje ishte filmuar ndërsa më pas ishte dërguar në një grup të “Viber” ku ishin të gjithë policët e ndërrimit.

Shefi i Divizionit për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Bardhyl Haxhimustafa, divizion ky brenda Inspektoratit Policor të Kosovës, tregoi fillimisht për rastin e hetimit të drogës e më pas edhe se si u zbardh videoja ku shihej polici duke rrahur të riun.

“Me vendim të prokurorit që ka udhëhequr rastin e drogës në vitin 2018 në atë rast, prokurori ka dhënë urdhër që pajisjet e konfiskuara elektronike të shkojnë në ekzaminim. Në mesin e vitit 2019 kemi marrë raportin e forenzikës dhe ka shku një kohë për të shikuar materialin e gjetur brenda telefonëve. Gjatë kontrollit të materialit është vërejtur incizimi në një telefon që ka posedu dhe është sekuestru. Ky material është veçuar nga materialet e tjera, ndërkohë hetimi në atë rast ka vazhdu. Ai hetim ka përfunduar”, shpjegon Haxhimustafa.

Pasi kishin siguruar pamjet të cilat dëshmonin dhunën fizike të ushtruar nga pjesëtari i Njësisë Speciale, grupi që po hetonte rastin, thërret në intervistim policin nga i cili u gjet video- incizimi, ky i fundit identifikon policin që shihej në video.

Hetuesit e IPK-së që hetuan rastin e rrahjes së të riut brenda stacionit policor, FOTO: KALLXO.com

Pas këtyre veprimeve, IPK fillon hetimin për identifikimin e viktimës, në mënyrë që i njëjti të intervistohej dhe të tregonte se çka kishte ndodhur në natën kritike.

“Ka përfundu hetimi, materiali i cili ka dalë nga ekzaminimi i pajisjeve elektronike është marrë dhe në këtë rast jemi vu në kërkim të viktimës, sepse nuk kemi pasur informacione as kohën e kryerjes së veprës penale e as kush është viktima e cila është keqtrajtuar. Përmes rrugëve operative dhe rrjeteve tjera kemi arritur që me datë 28 janar ta lokalizojmë dhe ta gjejmë viktimën, është ftu viktima për intervistim. Po atë ditë është njoftuar edhe Prokuroria e Prishtinës dhe me autorizimet e tyre kemi ndërmarrë veprimet hetimore”, tregon tutje.

Hetimi i Inspektoratit Policor të Kosovës zbardhi një rast ku të përfshirë ishin disa zyrtarë policorë. Intervistimi i viktimës në anën tjetër zbardhi përfshirjen e zyrtarëve policorë në lidhje me rrahjen e tij.

Pas identifikimit të policit i cili shihej në pamjet ku rrahte një të ri, i njëjti u thirr për t’u paraqitur në stacion policor ani pse ishte në pushim. Nuk zgjati shumë dhe polici ishte paraqitur në stacion ku kishte ndodhur ngjarja ndërsa pak minuta më vonë i njëjti u shoqërua për intervistim në zyrat e Inspektoratit Policor të Kosovës për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

Shefi i Divizionit për Hetimin e Krimit dhe Korrupsionit, IPK, Bardhyl Haxhimustafa FOTO: KALLXO.com

Pas intervistimit, Prokuroria ishte njoftuar për deklaratat e tij e me vendim të prokurorit të rastit, polici H.K., do të dërgohej në ndalim për 48 orë.

“Lidhur me rastin janë intervistuar shtatë zyrtarë policorë, ndërsa të arrestuar janë dy zyrtarë policorë dhe një rreshter në cilësinë e mbikëqyrësit të ndërrimit në ditën kur ka ndodhur dyshimi për veprën penale është i suspenduar për momentin”, shtoi Haxhimustafa.

Pas arrestimit të policit H.K., i njëjti në më pak se 24 orë ishte liruar me vendim të prokurorit të rastit, ndërsa ishte arrestuar sërish pasi që i njëjti dyshohej se kishte telefonuar viktimën e rastit dhe ka kërkuar nga ai që të tërhiqte deklaratën në lidhje me rrahjen.

Ky informacion kishte alarmuar sërish IPK-në. Të njëjtit kishin njoftuar Prokurorinë në lidhje me rastin ndërsa ishte urdhëruar riarrestimi i zyrtarit policor.

Polici H.K., duke u shoqëruar për intervistim në IPK, Foto: KALLXO.com

Pamjet e transmetuara sonte tregojnë punën në detaje të IPK-së në lidhje me zbardhjen e rastit ku i riu u rrah brenda stacionit policor.

“Zyrtari policor ishte liruar ndërsa është arrestuar pas 24 orëve për veprën penale – pengim i të provuarit, sepse qytetari në këtë rast viktima ka informuar IPK se është duke pranuar thirrje të panjohura në numrin e tij të telefonit që i njëjti të tërhiqet nga ky rast. Menjëherë e kemi informuar Prokurorinë nga të cilët jemi udhëzuar që të intervistojmë qytetarin prapë, pas intervistimit të viktimës dhe në bazë të të gjeturave është vendosur që prapë zyrtari policor të arrestohet dhe të dërgohet në ndalim”, shpjegon Haxhimustafa.

Rasti i rrahjes së të riut brenda stacionit policor në Prishtinë është ende duke u hetuar. IPK do të vazhdojë të trajtojë rastin ndërsa ishte paraparë që të intervistoheshin edhe disa zyrtarë të tjerë policorë të cilët dyshohet se kishin qenë brenda dhomës ku ishte ushtruar dhuna ndaj të riut.