Donika Kadaj - Bujupi - FOTO KALLXO - ARKIV

Donika Kadaj për reciprocitetin: Hoti po e luan lojën e dirigjuar nga Thaçi e Vuçiq

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi e ka akuzuar qeverinë Hoti, ku bën pjesë edhe partia e saj për heqjen e masës së reciprocitetit kundër Serbisë.

Sipas saj, reciprociteti është hequr për t’i hapur rrugë një dialogu krejtësisht të paqartë.

Kadaj Bujupi ka akuzuar kryeministrin Hoti se po e luan rolin e tij në një orkestër të dirigjuar nga Thaçi e Vuçiq.

Kadaj Bujupi kishte abstenuar duke liruar sallën plenare të Kuvendit kur u votua qeveria Hoti.

Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë të Donika Kadaj Bujupit:

Masat e reciprocitetit u hoqën për t’i hapur rrugë një dialogu krejtësisht të paqartë me Serbinë, që synon ta prodhojë një marrëveshje edhe më të paqartë për Kosovën. Kryeministri Hoti nuk u dorëzua, ai thjesht po e luan rolin e tij në orkestrën e dirigjuar nga dy presidentët, Thaçi e Vuçiq, të cilët qe sa vite po nguten për ta arritur një marrëveshje fshehurazi nga popujt e tyre nëpër kthinat e Brukselit dhe Uashingtonit.

Presidenti Thaçi po e çon vendin drejt një vrime të zezë prej ku Kosova mund të dalë e gjymtuar, duke e imponuar autoritetin e tij mbi Kryeministrin Hoti. Fillim i keq!