Ministra e Drejtësisë në gjykatë - 01.04.2021 - FOTO - ERA Hasani - KALLXO

Shtyhet seanca ku e akuzuar është Ministrja e Drejtësisë (VIDEO)

Seanca gjyqësore ndaj Albulena Haxhiut, ministre e Drejtësisë, ish-deputeteve Donika Kadaj- Bujupi, Besa Baftiu dhe deputetit Pal Lekaj, të cilët akuzohen për armëmbajtje pa leje ka dështuar të mbahet sot në Gjykatën e Prishtinës.

Të gjithë të akuzuarit ishin prezent në seancë, por shkak për shtyrjen e saj sipas gjykatëses Fatime Dërmaku ishte mungesa e kushteve ligjore.

Kjo pasi avokati mbrojtës i deputetit Pal Lekajt, Arianit Koci, deklaroi se nuk është pajisur me të gjitha shkresat e lëndës nga ana e Prokurorisë. Po ashtu edhe të akuzuarit tjerë janë deklaruar se nuk janë pajisur me të gjitha shkresat e lëndës nga ana e Prokurorisë.

Prokurori Ilaz Beqiri kundërshtoi këto pretendime të mbrojtjes me arsyetimin se prokuroria i ka përmbushur të gjitha obligimet ligjore për të pajisur palët me shkresat e lëndës.

Gjyqtarja Dërmaku konsideroi që pajisja me prova në këtë fazë të procedurës është më se e nevojshme përderisa mbi të akuzuarit rëndon një vepër që  mund të dënohet me burg dhe me gjobë.

Vazhdimi i kësaj seance u caktua për datën 14 prill 2021.

E akuzuara, Albulena Haxhiu, deklaroi se është kundër prolongimit të mëtutjeshëm të këtij procesi gjyqësor.

“E di që provat janë të nevojshme për procesin, mirëpo mua nuk më intereson se a jam pajisur apo jo me shkresa përderisa asnjëherë nuk i kam mohuar veprimet e mia politike, në interesin tim është që të përfundojë ky proces meqë tërë kohën po prolongohet dhe jam që shqyrtimi të vazhdojë”, tha Albulena Haxhiu.

Albulena Haxhiu, Besa Baftiu, Donika Kadaj- Bujupi e Pal Lekaj, akuzohen se në shkurt të 2016-ës, kanë futur bombola të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës duke e kryer veprën penale armëmbajtje pa leje.

Aktakuza ka të bëjë me kohën kur partitë atëherë në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kundërshtonin marrëveshjen Kosovë – Mali i Zi për demarkacionin e kufirit dhe marrëveshjen Kosovë – Serbi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

 

 

Dështon për të pestën herë seanca gjyqësore për gazin lotsjellës në Kuvend