Donald Trump akuzohet sërish, kësaj radhe për përpjekje përpërmbysjen e zgjedhjeve të vitit 2020

Ish-presidenti amerikan Donald Trump është akuzuar për komplot për t’a përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020.

Trump akuzohet për katër akuza, përfshirë komplotin për ta mashtruar SHBA-në, ndërhyrjen e një dëshmitari dhe komplot kundër të drejtave të qytetarëve.

Aktakuza përfshin një hetim mbi ngjarjet që ndërlidhen me trazirat e 6 janarit 2021 në Kapitol Hill të SHBA.

Trump, 77 vjeç, i cili kandidon sërish për president, i mohon akuzat e ngritura. Në rrjetet sociale ai e quajti rastin “qesharak”.

Politikani republikan tashmë është akuzuar në dy raste të tjera: për keqpërdorimin e dosjeve të klasifikuara dhe falsifikimin e të dhënave të biznesit për të mbuluar një pagesë në këmbim të heshtjes ndaj një aktori filmash porno.

Hetimi zgjedhor është fokusuar në veprimet e Trump në periudhën dymujore mes humbjes së tij ndaj Joe Biden dhe trazirave në Uashington DC, ku mbështetësit e tij sulmuan Kongresin ndërkohë që ligjvënësit amerikanë vërtetuan fitoren e demokratit Biden.

Njeriu që është në krye të hetimeve, këshilltari special Jack Smith, ka thënë se “sulmi në kryeqytetin e kombit tonë më 6 janar 2021, ishte një sulm i paprecedentë ndaj selisë së demokracisë amerikane.

“Siç përshkruhet në aktakuzë, ky sulm është ushqyer nga gënjeshtra”.

Smith e përfundoi deklaratën e tij të shkurtër duke u zotuar se do të kërkojë “një gjyq të shpejtë”, ndërsa theksoi se ish-presidenti “duhet të supozohet i pafajshëm derisa të provohet fajësia”.

Trump do të paraqitet në gjykatë të enjten në Uashington DC.

Aktakuza prej 45 faqesh i liston gjashtë bashkëpunëtorë të paidentifikuar: katër avokatë, një zyrtar i departamentit të drejtësisë dhe një konsulent politik.

Dokumenti i gjykatës e akuzon ish presidentin Trump për “komplot për të dëmtuar, penguar dhe mposhtur funksionin e qeverisë federale përmes pandershmërisë dhe mashtrimit”.

Duke i adresuar akuzat e Trumpit për mashtrim të votuesve në vitin 2020, prokurorët thonë se “këto pretendime ishin të rreme dhe i pandehuri e dinte se ato ishin të rreme”.

Ata gjithashtu thonë se Trump u përpoq dhe dështoi ta bindë Zëvendës Presidentin Mike Pence që ta bllokojë certifikimin e kandidatit demokrat Biden si president më 6 janar të vitit 2021.

Aktakuza liston gjithashtu zyrtarët e shumtë amerikanë dhe punonjësit e lartë të fushatës së Trump, të cilët, siç thuhet në aktakuzë, e informuan presidentin në largim se ai kishte humbur dhe se nuk kishte prova për mashtrim të votuesve.

Trump, i cili tani përballet me 78 akuza penale në tri raste të ndryshme, aktualisht është kryesuesi në garën e Partisë Republikane për ta zgjedhur kandidatin e ardhshëm presidencial.

Kushdo që fiton nga radhët e republikanëve do ta sfidojë kandidatin demokrat, që pritet të jetë presidenti Biden, në nëntor 2024.

Dhjetra zyrtarë dhe këshilltarë të lartë të administratës Trump u intervistuan si pjesë e hetimit, duke përfshirë edhe ish zëvendës presidentin Pence dhe ish-avokatin e Trump, Rudy Giuliani.

Prokurorët në shtetin e Xhorxhias po hetojnë gjithashtu ish-presidentin mbi baza të ngjashme, duke u fokusuar nëse ai u ka bërë presion të paligjshëm zyrtarëve atje për ta hedhur poshtë fitoren e Biden në zgjedhje.

Një vendim nga prokurorët në Atlanta nëse do të padisë ish presidentin Trump pritet këtë muaj.

Republikanët në shtete të tjera po hetohen për gjoja se kanë ndihmuar në përpjekjen e Trump për ta ndaluar Bidenin ta marrë detyrën e presidentit.

Prokurorët e shtetit në Michigan e kanë akuzuar një ish-kandidat republikan për prokuror të përgjithshëm dhe një tjetër mbështetës të Trumpit për ndërhyrje në makineritë e votimit në përpjekje për të dëshmuar se Trump kishte humbur për shkak të mashtrimit të gjerë të votuesve.

Trazirat në Kongres çuan në fajësimin (impeachment) e dytë të Trump në Dhomën e Përfaqësuesve – duke e bërë atë presidentin e parë të SHBA-së që është fajësuar dy herë./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala