DOKUMENT- Anëtarët e shkarkuar të Bordit të Postës padisin qeverinë

Ish-anëtarët e Bordit të Postës së Kosovës, Halit Isufi, kryesues, Hysen Fazliu, anëtar, Rushan Ceka, anëtar, Zelfije Pllana, anëtare, Nuhi Provoliu, anëtar dhe Ylber Zabërgja, anëtar, kanë paditur Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Në fillim të muajit prill 2020, Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti ka shkarkuar bordin e drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Posta e Kosovës”, dhe më pas ka emëruar bordin e  përkohshëm të ndërmarrjes.

Anëtarët e shkarkuar të bordit kanë paraqitur padi për anulim të aktit administrativ pranë Gjykatës Themelore të Prishtinës.

KALLXO.com ka siguruar padinë ku gjashtë paditësit kërkojnë nga Gjykata e Prishtinës që të anulohet vendimi i Qeverisë së Kosovës i marrë me datë 2 prill 2020.

Përveq kësaj ata kërkojnë që të kthehen në pozitat e tyre të mëparshme dhe të ju kompenzohen pagat që nga data e shkarkimit të tyre.

Sipas Qeverisë, ky shkarkim është bërë për shkak se janë shkelur detyrat fiduciare.

Qeveria e Kosovës e ka cituar edhe raportin e Auditorit të vitit 2018.

“Në raportin për vitin 2018, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinionin se pasqyrat vjetore financiare të Postës nuk paraqesin gjendjen e drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale në këtë ndërmarrje”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Qeveria e Kosovës.

Në anën tjetër, paditësit thonë se është bërë për shkak të shkeljeve thelbësore të Ligjit të Procedurës së Përgjithshme Administrative dhe legjislacionit kompetent për Ndërmarrjet Publike, sepse vendimi është i paarsyetuar, politik dhe kundërligjor.

Pika dy e kësaj padie argumenton vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, për shkak se sipas tyre tre nga gjashtë anëtarët e bordit Zelfije Pllana, Nuhi Provoliu dhe Ylber Zabërgja nuk kanë qenë fare anëtar bordi në periudhën për të cilën janë shkarkuar.

Raporti i Auditimit të Ndërmarrjes Publike “Posta e Kosovës”, pra viti financiar i përfunduar me 31 dhjetor 2018, të Zyrës Kombëtare të Auditimit, është periudha për të cilën janë shkarkuar, ndërsa të paditurit pretendojnë se janë emëruar në qershor të vitit 2019.

Pra, sipas të paditurve, veprimet e Qeverisë janë me tendencë dhe tërësisht politike, sepse të njëjtit janë zgjedhur me konkurs të rregullt publik dhe të monitoruar, në mënyrë që të bëhen emërimet e reja me militantët e LVV-së.

Në raportin e monitorimit të rekrutimit të publikuar nga BIRN thuhet se së paku 5 nga 6 anëtarët e këtij bordi kanë pasur lidhje apo kanë qenë të afërt me koalicionin PAN, që kanë qeverisur në mandatin e kaluar.

Si pikë e tretë e padisë së ish-anëtarëve të Postës së Kosovës, thuhet se është zbatimi i gabuar i së drejtës materiale, duke kontestuar emërimet e përkohshme të cilat, sipas tyre, janë bërë në baza partiake.

Para shkarkimit të tyre KALLXO.com ka raportuar mbi shkeljet brenda kësaj ndërmarrje.