Foto: ZKM

Shkeljet që mund të çojnë në shkarkimin e bordit të Postës së Kosovës

Auditori i Përgjithshëm ka dhënë opinion të kundërt për Postën e Kosovës pasi ka konstatuar se pasqyrat Financiare Vjetore për vitin 2018, nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale.

Auditori ka shkruar një opinion të kundërt për pasqyrat financiare të Postës së Kosovës, të shtrirë në rreth 10 faqe, ndryshe nga opinionet e raporteve të institucioneve të tjera.

Auditori jep një opinion të kundërt nëse arrin në përfundimin se keq-deklarimet, ose individualisht ose së bashku, janë edhe materiale edhe të përhapura në pasqyrat financiare, bazuar në dëshmitë e auditimit të mjaftueshme dhe të përshtatshme.

Qeveria e Kosovës e ka shkarkuar bordin e Telekomit të Kosovës me arsyetimin se ndërmarrja është në prag të falimentimit për shkak të gjendjes së rëndë financiare dhe operative.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Avdullah Hoti dhe ministrja e Ekonomisë dhe Punës, Rozeta Hajdari kanë paralajmëruar se do të analizohet gjendja financiare e secilës ndërmarrje publike, duke u fokusuar edhe në raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Përveç opinionit të kundërt, Auditori ka konstatuar se Posta e Kosovës kishte regjistruar humbje në pasqyrat financiare prej 2,333,841 euro në vitin 2018.

Trendi i humbjeve ka vazhduar nga viti 2015. Përkatësisht në vitin 2015 humbja totale që i atribuohet pronarëve/aksionarit ishte 3,043,774  milionë euro, në vitin 2016 humbja ishte 1,584,554  milionë euro, në vitin 2017 humbja ishte 1,942,991 milionë euro.

Në raport thuhet se për më tepër, kapitali aksionar i emetuar si dhe komponentët tjera të kapitalit në vlerën 30,038,345 milionë euro është zvogëluar nga humbjet e akumuluara në vlerë 18,847,408 milionë euro që d.m.th. se vlera e mbetur e ekuitetit është 11,715,937 euro.

Sipas Auditorit, nëse vazhdon trendi i tillë vlera e ekuitetit mund të bie ne zero. Sipas gjykimit të Auditorit, kjo situatë përbën pasiguri për entitetin dhe si e tillë duhet shpalosur.

“Menaxhmenti beson se është duke ndërmarrë veprimet adekuate për të siguruar stabilitet financiar për Postën e Kosovës. Kjo përmes një kërkese/plani të datës 15 nëntor 2017 drejtuar Qeverisë së Kosovës ku kërkohet që një varg shërbimesh financiare jo bankare të Qeverisë të kryhen përmes Postës së Kosovës. Po ashtu, menaxhmenti konsideron se për shkak të pozitës së përshtatshme të objekteve postare në territorin e vendit, është e mundur që objektet të lëshohen me qira për kompani të tjera në rast se marrëveshja e qirasë me TK dështon për ndonjë arsye”, theksohet në raport.

Në raportin e auditimit thuhet se Posta e Kosovës nuk i ka rivlerësuar pasuritë që nga viti 2005 edhe pse do të duhej ta bënte çdo tre ose pesë vjet.

Auditori ka gjetur se në regjistrin kontabël të aseteve të Postës figuron që vlera e pasurive me kosto historike është 34,218,777 milionë euro me një zhvlerësim të akumuluar 22,926,782 milionë euro dhe vlerë neto 11,777,568 milionë euro.

“Kjo tregon një rënie të ndjeshme në vlerën e pasurive si rezultat i mos vlerësimit të tyre për një periudhë të gjatë kohore”, vazhdon raporti.

Auditori ka thënë se një prej problemeve të kësaj ndërmarrje është uzurpimi i pronave. Përveç pronave në komunat me shumicë serbe, Auditori ka gjetur se kjo ndërmarrje ka toleruar që gjashtë apartamente banesore në Prishtinë të mbeten të uzurpuara. Për më tepër, Kompania nuk ka kontroll dhe nuk realizon përfitime ekonomike nga këto prona.

“Si rezultat i kësaj, vlera pasurive e paraqitur në pasqyrën e pozicionit financiar është mbivlerësuar për vlerën neto të këtyre pasurive për 114,900.48 euro, si dhe zëri ‘shpenzimet e zhvlerësimit’ në pasqyrën e fitimit/humbjes është mbivlerësuar për vlerën 19,149.96 euro”, ka theksuar Auditori.

Kjo ndërmarrje ka probleme bazike sa i përket obligimeve dhe regjistrimit të borxheve ndaj Administratës Tatimore të Kosovës qoftë për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Tatimin mbi të ardhurat personale dhe pagesën e trustit.

“Kompania, arkëtimet për TVSH i kishte prezantuar në shumën 740,282.95€. Mirëpo, nga analizat tona… rezulton se Posta e Kosovës nuk është debitore ndaj Administratës Tatimore për këtë llogari tatimore. Diferenca prej 740,282.95€, ndërmjet shumës së prezantuar në pasqyrën e pozicionit financiar dhe të konfirmimit nga ATK, është shumë për të cilën janë mbivlerësuar të arkëtueshmet”, thuhet në raportin e Auditorit.

Bordi i Postës së Kosovës, në një reagim të dërguar në KALLXO.com, kanë thënë se ata nuk janë përgjegjës për përformancën e kompanisë në vitin 2018 kur është bërë raporti i Auditorit, meqë ata janë zgjedhur në vitin 2019.

Por, në reagimin e tyre, Posta e Kosovës nuk kanë treguar se tre nga anëtarët e bordit që janë emëruar në vitin 2019 kanë qenë edhe më herët pjesë e bordit.

Posta e Kosovës, në reagimin e tyre kanë folur edhe për uzurpimin e pronave të kësaj ndërmarrje. Ata kanë thënë se uzurpimi i pronave të Postës së Kosovës në veri të Kosovës është që nga viti 1999. Kurse, sa i përket gjashtë banesave në Prishtinë, Posta e Kosovës ka thënë se me këto prona është duke u marrë Ndërmarrja Publike Banesore dhe për to ka një vendim të Gjykatës Themelore, mirëpo që duhet të pritet edhe vendimi i Gjykatës së Apelit.

Ndarja e “hises” në Bordin e Postës së Kosovës 

Posta e Kosovës që nga viti 2012 është ndarë nga Telekomi i Kosovës është udhëhequr nga Sejdi Hoxha. Ky i fundit, gjersa ka ushtruar pozitën e kryeshefit ekzekutiv në Postën e Kosovës është zgjedhur kryetar i Degës së Drenasit në PDK-në e Kadri Veselit.

Agjencia Kundër Korrupsionit nuk e ka interpretuar fare Ligjin për Ndërmarrjet Publike për rastin e Sejdi Hoxhës që ka mbajtur dy pozita: Kryeshef ekzekutiv i Postës së Kosovës dhe kryetar i PDK-së në Drenas.

Sejdi Hoxha ka dhënë dorëheqje disa muaj pasi ka marrë pozitën e të parit të PDK-së në Drenas. Tash, Hoxha është deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së.

Bordi i kësaj ndërmarrjeje është zgjedhur vitin e kaluar nga Qeveria Haradinaj.

Partitë të cilat kanë qenë pjesë e koalicionit qeverisës, PDK-AAK-Nisma Socialdemokrate kanë ndarë ‘hisen’ në tri pjesë në Bordin e Postës së Kosovës. 6 anëtarët e bordit të Postës së Kosovës janë: Halit Isufi, kryesues; Hysen Fazliu, anëtar; Rushan Ceka, anëtar; Zelfije Pllana, anëtare; Nuhi Provoliu; anëtar dhe Ylber Zabërgja, anëtar. Së paku 5 nga 6 anëtarët e këtij bordi kanë pasur lidhje apo kanë qenë të afërt me koalicionin PAN, që kanë qeverisur në mandatin e kaluar.

Halit Isufi kishte qenë kandidat i PDK-së për asamble në zgjedhjet lokale të vitit 2017. Isufi kishte qenë kandidati i tretë më i votuar në listën e PDK-së në Gjakovë. Ai kishte marrë 409 vota në zgjedhjet e 22 tetorit. Halit Isufi madje ka edhe një faqe në Facebook me emër “Halit Isufi PDK Gjakovë”. Isufi e kishte konfirmuar që ka qenë kandidat për asamble, mirëpo që nuk e kishte ushtruar këtë post përkundër që kishte marrë vota të mjaftueshme.

Rushan Ceka është anëtari tjetër i Bordit të drejtorëve të Postës së Kosovës. Në profilin e tij në Facebook, Ceka ka shpërndarë fotografi nga festa e PDK-së në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ku zyrtarë të PDK-së e simpatizantë të kësaj të fundit ishin mbledhur për të festuar rizgjedhjen e Kadri Veseli në krye të PDK-së edhe për një mandat. Ceka e ka pranuar se është anëtar i PDK-së që nga themelimi i saj.

Anëtari tjetër i bordit të drejtorëve të Postës së Kosovës është Nuhi Provoliu. Ai është shumë aktiv në rrjetet sociale. Në baza ditore, në “Facebook” shpërndan fotografi dhe aktivitete të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Nuhi Provoliu kishte qenë edhe kandidat për këshilltar komunal të AAK-së në zgjedhjet e fundit komunale ku kishte marrë 105 vota. Provoliu e ka pranuar se ka qenë kandidat i AAK-së për asamble komunale dhe se është pjesë e partisë së kryeministrit.

Pjesë e Bordit të Postës së Kosovës është edhe Ylber Zabërgja. Ai është i afërt me Nismën Socialdemokrate. Në fund të vitit 2017, Nisma Socialdemokrate në profilin e saj në Facebook kishte njoftuar se kësaj partie i ishin bashkuar 16 intelektualë. Ndër emrat e përmendur ishte edhe Ylber Zabërgjës.

“Nismës nga sot i janë bashkuar edhe 16 intelektualë, disa nga ta edhe profesorë universitarë. Arben Arifi, Elvira Reçica, Mitasin Beqiri, Jusuf Fejza, Agim Gashi, Ferki Fejza, Gëzim Hyseni, Xhevdet Qenaj, Ilir Qabrrati, Ylber Zabërgja, Nexhat Gashi, Shefki Rashiti, Burhan Arifi, Blerina Vitia, Armend Jashari dhe Albina Gashi i janë bashkuar sot familjes sonë politike”, thuhet në postimin e Nismës Socialdemokrate të datës 18 dhjetor 2017.

Zelfie Pllana është e vetmja grua në Bordin e Postës së Kosovës. Pllana, te prezantimi i saj në profilin e rrjetit social Facebook ka shkruar që ka punuar në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Po ashtu, Pllana ka të shpërndara postime të kryeministrit Haradinaj. Në vitin 2018, kur Pllana ishte bërë pjesë e Këshillit drejtues të AAK-së në nivelin qendror kishte shkruar se ajo ka qenë ndër themelueset e AAK-së.

Teksti është ndryshuar me datën 24 shkurt 2019, duke ju shtuar tekstit një pjesë e reagimit të Postës së Kosovës. Reagimi i plotë i Postës së Kosovës mund të lexoni duke klikuar KËTU, i cili është publikuar në ditën e njëjtë të reagimit. Në të njëjtin dokument është edhe përgjigja e KALLXO.com.