Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Djali i drejtorit të Shëndetësisë në Ferizaj në listën e të pranuarve në Fakultetin e Mjekësisë, u deklarua si pjesëtar i komunitetit boshnjak

Djali i Drejtorit të Shëndetësisë në Komunën e Ferizajt, Kemajl Emini, sipas rezultateve preliminare është pranuar në Fakultetin e Mjekësisë, drejtimi Mjekësi e Përgjithshme, në Universitetin e Prishtinës.

Emri i Leart Eminit është i 12-ti dhe i fundit në listën e kandidatëve të pranuar nga radhët e komuniteteve pakicë.

KALLXO.com ka kontaktuar me Kemajl Eminin për ta pyetur nëse djali i tij i takon ndonjërit prej komuniteteve pakicë, apo nëse ka qenë deklarim i rrejshëm nga Leart Emini, vetëm për shkak se gjasat për t’u pranuar janë më të mëdha si pjesëtar i komuniteteve pakicë.

Leart Emini ka arritur të jetë pjesë e kandidatëve të pranuar në Fakultetin e Mjekësisë vetëm për faktin që është vetëdeklaruar si boshnjak, pasi në pjesën e rezervuar për komunitete pakicë kishte garë dukshëm më të ulët.

Ai është pranuar në Fakultetin e Mjekësisë edhe pse ka marrë vetëm 57.04 pikë.

Ndërsa, në listën e kandidatëve të komunitetit shumicë kandidati i fundit i pranuar është me 78.09 pikë, apo 21 pikë më shumë se Leart Emini.

Pra, nëse Emini do të kishte hyrë në garë me kandidatët nga komuniteti shumicë ai do të renditej i 623-ti në listë.

Kemajl Emini ka thënë se djali i tij është deklaruar si boshnjak sepse ashtu e ndien veten dhe se ai nuk ka të bëjë me zgjedhjen e birit të tij.

“Ka shku u shkruajt boshnjak, e ka ndi veten mysliman boshnjak, e drejtë e tij, secili e ka të drejtën e vet, i ka mbi 18 vjet” – u përgjigj Emini.

Drejtori shtoi se stërgjyshja e djalit të tij, Leartit, ka qenë boshnjake.

KALLXO.com ka kontaktuar direkt edhe me Leart Eminin, i cili ka pasur përgjigjen e ngjashme.

“Unë e ndiej veten mysliman, jam mbi 18 vjet, bëj namaz, nuk kam nevojë me i pyet prindërit. Jam regjistru në komunë, e kam letrën si boshnjak” – është përgjigjur ai përmes mesazhit.

Këtë letër që dëshmon se ai i takon komunitetit boshnjak, ai tha se e ka dërguar edhe në Fakultet.

Kemajl Emini, i pyetur nëse mendon se djali i tij ka mundur t’ia zërë vendin dikujt tjetër të atij komuniteti, tha se vlerësimi i kësaj është detyrë e komisionit e jo e tij.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me dekanen e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kerliu lidhur me këtë çështje.

Dekania tha se nuk është e informuar për rastin konkret, por foli në përgjithësi për deklarimin e nacionalitetit të kandidatëve.

Suzana Manxhuka-Kerliu tha se kandidatët në konkurs vetëdeklarojnë kombësinë e tyre.

“Komisioni për provim pranues ka kërku prej kandidatëve me sjellë prej komunave, domethënë dokument që i takon atij komuniteti, disa kanë sjellë, disa nuk kanë sjellë. Ne s’kemi mujtë me i eliminu ata të cilët nuk kanë sjellë sepse s’e kanë pasë obligim me konkurs” – u shpreh ajo.

Ajo tha se viteve të kaluara rezultatet janë dërguar për verifikim në Ministrinë e Arsimit dhe ata kandidatë që kanë rezultuar me deklarim të rrejshëm, janë  larguar nga lista dhe rastet i kanë dërguar në prokurori.

“Çdo vit kemi problem me këtë kategori se ministria i ka bërë këto kritere edhe plus kërkojnë qe me iu përkthy madje edhe testin në gjuhen turke dhe gjuhën boshnjake që është shumë non sens” – tha tutje dekania e Fakultetit të Mjekësisë.

Ky verifikim, sipas saj, është refuzuar të bëhet nga Ministria e Arsimit, por tha se ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kishte premtuar se do të ndihmonte në verifikimin e këtyre deklarimeve. Por, siç thotë Manxhuka-Kerliu, ai nuk ka vepruar më tutje.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje për këtë çështje edhe Ministrisë së Arsimit, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Ministri Elbert Krasniqi po ashtu është kontaktuar nga KALLXO.com. Ai nuk ka qenë i qasshëm përmes telefonit, as nuk ka kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të artikullit.

Dekania Suzana Manxhuka-Kerliu, për këtë çështje ka dërguar një dokument si dëshmi që Leart Emini, është pjesëtar i komunitetit Boshnjak.