Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Disa të arrestuar për dhunë në familje, prijnë rastet e dhunës ndaj grave

Gjatë 24 orëve të fundit policia ka arrestuar disa persona për shkaktim të dhunës në familje, në mesin e tyre prijnë rastet e dhunës ndaj grave.

Një grua nga Prishtina ka raportuar se pas një mosmarrëveshje i dashuri i saj gjerman i ka shkaktuar dhunë psikike dhe fizike.

Sipas policisë, i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Rasti ka ndodhur të martën në rreth orës 02:00.

Rast tjetër është raportuar edhe tek stacioni i autobusëve në kryeqytet ku janë shoqëruar në polici një burrë – shtetas i Shqipërisë dhe një vajzë e mitur me shtetësi kosovare pasi ishin përleshur fizikisht mes vete.

Sipas policisë, të dyshuarit janë të fejuar. Me vendim të prokurorit pas intervistimit të dy janë liruar dhe rasti ka kaluar në procedurë të rregullt.

Një burrë në fshatin Çikatovë e re në Drenas po ashtu është arrestuar nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht motrën e tij.

Në raportin e policisë bëhet e ditur se viktima ka marr trajtim mjekësorë deri i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Arrestim për dhunë në familje pati edhe në Suharekë, policia arrestoi një burrë pasi kishte ushtruar dhunë fizike ndaj gruas së tij.

Sipas policisë, viktima ma marr trajtim mjekësorë, derisa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Raportim për dhunë në familje pati edhe në Gjakovë ku një shtetase e Malit të Zi ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti. Sipas policisë i dyshuari gjendet në arrati derisa rasti i cili ndodhi të hënën është duke u hetuar.

Një burrë në Malishevë po ashtu është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj gruas së tij.

Policia bënë të ditur se viktima ka marr trajtim mjekësor derisa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Derisa, një grua nga Vushtrria ka marr po ashtu trajtim mjekësorë pasi ishte sulmuar nga bashkëshorti. Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar deri rasti ka kaluar në procedurë të rregullt.