Digjet një dhomë në Spitalin e Pejës

Zjarri ka kapluar një pjesë të katit të katërt të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm (29.05.2024).

Vetë Spitali njofton se si pasojë është djegur një dhomë ku kanë qenë pajisjet e teknologjisë informative.

Sipas njoftimit, dyshohet se shkaktar ishte një defekt në sistemin elektrik.

“Pjesëtarët e sigurimit kanë intervenuar menjëherë në shuarjen e zjarrit dhe po ashtu janë njoftuar Policia dhe Zjarrfikësit… Me intervenimin e shpejtë është ndalur përhapja e zjarrit, por një dhomë ku kanë qenë pajisjet e Teknologjisë Informative është djegur dhe tani jemi në proces të konstatimit të dëmit material” – thuhet më tej.

Spitali thotë se janë në proces të konstatimit të dëmit material, ndërkaq shton se asnjë e dhënë nuk është humbur “sepse janë të lidhura me sisteme të tjera informative.”

Shërbimet për pacientë, sipas njoftimit janë duke vazhduar të jepen si gjithnjë, ndërsa shërbimet teknikë po merren me pastrimin e riparimet e nevojshme në dhomën e djegur dhe ambientet e tjera të katit të katërt të bllokut kirurgjik.