'DigDataKosovo' lë prapa kulturë të hapjes, përdorimit dhe analizës së të dhënave

Është përmbyllur projekti 4-vjeçar DigDataKosovo – sfida për të dhëna të hapura, mbështetur nga Korporata e Sfidave te Mijëvjeçarit (MCC) dhe Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK).

Aktivitetet në kuadër të DigData Challenges u përmbyllën me konferencën mbi të dhëna të hapura, transparencë dhe qeverisje të mirë, që bashkoi përfaqësues të institucioneve, misioneve diplomatike, organizatave të huaja dhe vendore, si dhe grantistë të sfidave kombëtare DigData përgjatë viteve.

Drejtori Ekzekutiv i MFK-së, Petrit Selimi, dhe drejtoresha e MCC-së për Kosovë, Sarah Olmstead, e cilësuan projektin DigData dhe të arriturat nga ky projekt si shumë të rëndësishme në krijimin e një kulture të hapjes, përdorimit dhe analizës së të dhënave, nga institucionet, shoqëria civile, mediat, dhe sektori privat, kështu duke çuar drejt vendimeve të bazuara në të dhëna.

Drejtoresha për Zhvillim Social në MCC,  Carolyn Wetzel Chen, përgëzoi institucionet e Kosovës për gatishmërinë e tyre për të hapur të dhënat.

“Nuk është gjë e vogël që të dhënat të organizohen, të përgatiten për publikim dhe të ndahen me të gjithë. Andaj, dua t’i përgëzoj institucionet e Kosovës për tërë punën e publikimit të të dhënave, të gjithë që janë përfshirë dhe kanë punuar në organizimin, kontrollimin dhe hapjen e të dhënave në fusha të ndryshme”, tha Wetzel Chen.

Drejtori i Programeve Threshold në MCC, James Gerard, i vlerësoi lart përpjekjet e të gjithë grantistëve të cilët me zgjidhjet e tyre promovuan transparencë të të dhënave si dhe llogaridhënie të institucioneve të Kosovës.

Në anën tjetër, Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, përgëzoi MFK-në për vizionin për të nisur dhe implementuar një projekt si Dig Data Kosovo.

“Dig Data reflekton përkushtimin e MFK-së për të prekur sfidat me të cilat ballafaqohemi të gjithë ne, duke bërë bashkë një gamë të gjerë njerëzish dhe kapacitetesh për të sjellë ndryshimin në politikbërje”, shtoi Davenport.

Përgjatë katër viteve, projekti Dig Data Kosovo u fokusua në përmirësimin e disponueshmërisë së të dhënave gjyqësore, të mjedisit dhe fuqisë punëtore, duke inkurajuar kështu përdorimin analitik të të dhënave nga shoqëria civile, bizneset dhe qeveria, nxitur partneritetin produktiv mes këtyre akterëve, si dhe promovuar vendimmarrjen e bazuar në të dhëna.