
‘Marrëveshja me MCC’ - Qeveria autorizon koordinatorin Lum Mita për të lidhur kontrata
Qeveria ka miratuar vendimin për t’i dhënë autorizim për lidhje të kontratave koordinatorit kombëtar të ekipit për zhvillimin e kompaktit, Lum Mitës.
Kryeministri Albin Kurti tha që me këtë vendim, Mita do të mund të lidhë kontrata në emër të Qeverisë së Kosovës.
Ndërsa arsyetimin për dhënien e këtij autorizimi e dha ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati.
“Në kuadër të marrëveshjes është përcaktuar edhe ekipi i cili do të implementoj Kompaktin në kuadër të Qeverisë së Kosovës, por pasi që ekipi nuk ekziston si person juridik dhe si i tillë nuk ka zotësi juridike atëherë këtë përgjegjësi e merr qeveria deri në themelimin e llogarisë së sfidave të mijëvjeçarit si person juridik, rrjedhimisht qeveria e autorizon koordinatorin që të lidhë kontrata sipas rregullave të prokurorimit të MCC në emër të qeverisë” – tha ministri Murati.
Në tetor, kabineti qeveritar ka themeluar grupin punues për përmbushjen e parakushteve që rrjedhin nga Marrëveshja Kompakt e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).
Kosova dhe Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), në ceremoninë e Kongresit amerikan kanë nënshkruar marrëveshjen e programit Kompakt mes Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).
Marrëveshja pritet t’i sjellë Kosovës mbi 200 milionë dollarë investime në projekte në fushën e energjisë.
Qeveria themelon grupin punues për përmbushjen e parakushteve për marrëveshjen me MCC-në
SHBA e ndihmon Kosovën me 236,7 milionë dollarë: Do të investohen në energji