Dezinfektohet ndërtesa ku banon i infektuari në Viti

Disa banorë të së njejtës ndërtesë me të infektuarin me coronavirus në komunën e Vitisë janë ankuar në KALLXO.com se nuk është bërë dezinfektimi i ndërtesës.

KALLXO.com ka kontaktuar kryetarin e kësaj komune, Sokol Haliti, në lidhje me këtë ankesë por ai ka hedhur poshtë këtë, ndërsa tha se janë marrë të gjitha masat e duhura.

“I kemi marrë masat dhe po vazhdon masa e klorifikimit dhe pastrimit. Po marrim masat siç kemi marrë për rastet e tjera, dhe po e menaxhojmë situatën mirë”, është shprehur Haliti.

Ndërsa disa minuta pasi KALLXO.com kontaktoi me kryetarin Haliti, ankuesit kanë dërguar fotografi në KALLXO.com në të cilat shihet se është duke u bërë dezinfektimi.

Komuna është arsyetuar se nuk i kanë publikuar fotografitë për shkak se, sipas tyre, ndërtesa është private dhe nuk kanë dashur të shkelin privatësinë.

Komuna e Vitisë më shumë se 1 muaj ka që është në izolim si pasojë e përhapjes së pandemisë në këtë komunë.