Kuvendi i Kosovës, 12 prill 2022/ Foto: KALLXO.com

Dështon zgjedhja e gjyqtarit të dytë të Kushtetueses, për këtë pozitë do të rishpallet konkursi

Kuvendi i Kosovës në mungesë të votave të nevojshme nuk ka arritur ta përzgjedhë kandidatin e të dytë për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Në raundin e parë, me 66 vota, kandidati Enver Peci u votua për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa kandidatët tjerë nuk arritën të grumbullonin votat e nevojshme për pozitën e dytë të gjyqtarit në Kushtetuese.

Në raundin e tretë kur nevojiteshin 46 vota, Bardh Bokshi ka marrë 30 vota ndërsa Dukagjin Abdyli 30 vota, pra numër i pa mjaftueshëm për tu zgjedhur në këtë pozitë.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka kërkuar nga komisioni të bëjë publikimin e thirrjes për propozimin e një kandidati për gjyqtar në këtë Gjykatë.

“Numri i nevojshëm i votave për tu zgjedhur në raundin e tretë ka qenë 46 vota, asnjëri prej kandidatëve nuk e ka marrë numrin e nevojshëm të votave. Kërkohet nga komisioni të marrë vendimet e nevojshme për publikimin e thirrjes për propozimin e një kandidati për një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”-konstatoi Konjufca.

Kuvendi në rend të ditës ka pasur propozimin e dy kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.

Për dy pozita të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, Kuvendit i janë propozuar gjithsej pesë kandidat.

Dukagjin Abdyli, Enver Peci, Bardh Bokshi, Flamur Mrasori dhe Valon Hasani janë kandidatët e propozuar nga komisioni përkatës.

Konkursi për dy pozita në Gjykatën Kushtetuese është përsëritur pasi Kuvendi nuk kishte arritur të përzgjedhte kandidatët në maj të këtij viti.

Me 5 maj 2022, në seancën e Kuvendit, asnjëri nga kandidatët nuk kishte arritur të marrë votat e mjaftueshme, dhe konkursi për këto pozita është rishpallur.

Kuvendi zgjedh Enver Pecin gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese