Dështon zgjedhja e dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, do të shpallet konkurs i ri

Ka dështuar edhe në rundin e dytë procesi i zgjedhjes së dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Kuvendin e Kosovës.

Asnjëri nga kandidatët nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme.

Në rundin e dytë kanë marrë pjesë 97 deputetë, të pavlefshme dy vota.

Kandidati Albert Avdiu ka marrë 60 vota, Bardh Bokshi, 52 vota dhe Etrur Maloku 39 vota.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se pasi asnjëri nga kandidatët nuk ka arritur të marrë votat e mjaftueshme,  konkursi për këto pozita do të rishpallet.

Në rundin e parë të votimit kanë marrë pjesë 102 deputetë.

Asnjë nga kandidatët nuk i ka marrë votat e mjaftueshme, kandidati me më së paku pikë, Dukagjin Abdyli, është hequr nga gara Dukagjin Abdyli.

BIRN ka monitoruar këtë proces,

Konkursi për zgjedhjen e dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese është përmbyllur pas një procesi jotransparent të përzgjedhjes së kandidatëve.

Komisioni vlerësues kishte vendosur të mbyllte për publikun dhe monitoruesit poentimin e kandidatëve pas intervistimit të tyre.

Për pozitën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kanë aplikuar 13 persona.

Ndërsa janë intervistuar 12 prej tyre: Flamur Hyseni, Safet Berisha, Bardh Bokshi, Emrush Kastrati, Selman Ymeri, Rexhep Gashi, Blerim Burjani, Etrur Maloku, Flutra Hoxha, Dukagjin Abdyli, Albert Avdiu e Valon Hasani. Kandidati tjetër, Rafet Haxhaj, nuk është paraqitur në intervistën me gojë.

Pas përfundimit të testit me shkrim dhe intervistave, komisioni ka vendosur të dërgojë në Kuvend për votim katër kandidatë: Etrur Maloku, Dukagjin Abdyli, Albert Avdiu dhe Bardh Bokshi.

 

Poentimi jotransparent në konkursin për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese