Dëshmitarja tregon si mori vesh që motra e saj kishte shkuar në Siri

Taibe Alshiqi doli sot në Gjykatën e Prishtinës për të dëshmuar në gjykimin ndaj motrës së saj e cila po akuzohet për pjesëmarrje në grup terrorist.

E akuzuara Melihate Alshiqi, paraprakisht nuk e kishte pranuar fajësinë për këtë vepër duke thënë se burri e kishte mashtruar dhe e kishte dërguar në Siri.

“Unë e pranoj që kam qenë në Siri, unë edhe në fazat e mëhershme edhe tani para kësaj gjykate po deklaroj se unë kam qene ne Siri sepse kam qenë e mashtruar dhe kam qene e detyruar nga ish- bashkëshorti im Bekim Mulolli ”, tha ajo sot para gjykatës.

E akuzuara deklaroi se udhëtimin në Siri nuk e kishte bërë në mënyrë të vullnetshme por për shkak të djalit të saj.

Seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmitares Taibe Alshiqi, motra e të akuzuarës.

Taibe Alshiqi dekaroi se motra e saj Melihatja me bashkëshortin  e saj Bekim Mulolli, tani më i ndjerë, kanë pasur ndërmend që të shkojnë në pushime në Turqi, pas lindjes së djalit të tyre i cili sipas dëshmitares ishte përafërsisht 1 vit e disa muaj.

“ Në atë kohë babi pati vdekur, më vonë motra ka shkuar në pushim në Turqi ndërsa më vonë dikur përafërsisht mbas një muaji e kemi kuptuar se motra me bashkëshortin ka shkuar në Siri”, shtoi dëshmitarja.

Dëshmitarja tha se për shkuarjen e motrës në Siri e kishte kuptuar përmes telefonatave ndërsa sipas saj, motra nuk i kishte treguar lokacionin e saktë.

“ Motra me ka thanë që jam ne Siri, ka qajt sa herë më ka thirrë dhe ka thanë që ka përjetu  tmerr. Kjo ka përshkuar me mërzinë e saj shkaku i luftës dhe  ka thënë se po du vetëm me mbet gjallë dhe me u kthy edhe një here në atdhe” vazhdoi rrëfimi.

Sipas dëshmitarës, e akuzura Melihate Alshiqi pas vdekjes se bashkëshortit të saj përgjatë  telefonatave të përbashkëta, e kishte njoftuar se më vonë është martuar me Labinot Begun.

Ajo tha se përmes telefonit i kishte kërkuar motrës të riatdhesohet në Kosovë.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar me datë 30.6.2020, në ora 13:15.

Sipas aktakuzës, Melihate Alshiqi më 12.7.2015 së bashku me bashkëshortin e saj (tani i ndjerë) dhe fëmijën e tyre  të moshës 1 vjeç e gjysmë, me vetëdije ka shkuar në Siri me qëllim që t’u bashkëngjitet grupeve terroriste ISIS dhe Al- Nusra, të cilat veprojnë në Siri dhe Irak.

Atje ajo ka qëndruar deri në prill të vitit 2019.

Sipas prokurorisë, Melihate Alshiqi ka kryer veprën penale – bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Kosovës.

Sa i përket aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Speciale, mbrojtësja e të akuzuarës, avokate Sabrije Jashari, konsideroi se nga të gjitha shkresat e lëndës të cilat i disponon e njëjta nuk ka asnjë provë që ka ofruar prokuroria se në cilin formacion ka marrë pjesë e mbrojtura e saj.

Ajo ka  kërkuar nga prokuroria që të ofrojë provën me të cilën dëshmohet se në cilin formacion apo në cilën organizate terroriste ka qene e renditur e njëjta.

Ndihet e pafajshme e akuzuara për terrorizëm