Foto: KALLXO.com

Ndihet e pafajshme e akuzuara për terrorizëm

Në Gjykatën e Prishtinës sot është mbajtur seanca gjyqësore ndaj të pandehurës Melihate Alshiqi, e akuzuar për veprën penale – organizim dhe pjesëmarrje në grupin terrorist.

Pas leximit të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, dhe pas konsultimit paraprak me mbrojtësen e saj, avokaten Sabrije Jashari, e akuzuara ka deklaruar se e ndjen veten plotësisht të pafajshme.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Musa Konxheli, pas deklarimit të fajësisë nga e akuzuara, ka udhëzuar mbrojtësen e të akuzuarës që në afatin prej 30 ditësh të paraqesë kërkesën për kundërshtim të provave dhe hedhje të aktakuzës.

Sipas aktakuzës, Melihate Alshiqi më 12.7.2015 së bashku me bashkëshortin e saj (tani i ndjerë) dhe fëmijën e tyre  të moshës 1 vjeç e gjysmë, me vetëdije ka shkuar në Siri me qëllim që t’u bashkëngjitet grupeve terroriste ISIS dhe Al- Nusra, të cilat veprojnë në Siri dhe Irak.

Atje ajo ka qëndruar deri në momentin e kthimit në Kosovë.

Sipas aktit akuzues, Melihate Alshiqi ka kryer veprën penale – bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Kosovës.