Foto: Kallxo.com

Deri në ora 16:00 partitë duhet ta njoftojnë KQZ për ri-renditjen e kandidatëve për deputetë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se tashmë i kanë njoftuar partitë, që janë pjesë e Aktgjykimeve të Gjykatës Supreme dhe vendimeve të PZAP-it, se deri sot në orën 16:00 mund të njoftojnë KQZ-në lidhur me ri-renditjen e kandidatëve për deputetë.

Gjithashtu, Zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi, ka treguar se në ora 17:00 do të ketë mbledhje të Komisionit.

“Ju njoftoj se mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të mbahet sot, e shtunë, me fillim në ora 17:00. Në ndërkohë, KQZ, përmes ZRPPC-së, i ka njoftuar subjektet politike, që janë pjesë e Aktgjykimeve të Gjykatës Supreme dhe vendimeve të PZAP-it, se deri sot në orën 16:00 mund të njoftojnë KQZ-në lidhur me ri-renditjen e kandidatëve për deputetë”, thuhet në njoftim.

Të dielën e 14 shkurtit do të mbahen zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Me 6 janar 2021 u shpërnda legjislatura e shtatë e Kuvendit.

Të premten Gjykata Supreme ka vendosur rreth ankesave të subjekteve politike për certifikimin e listave të kandidatëve për deputetë.