Deputetja e PDK-së: Personat me nevoja të veçanta, përballen me pa barazi sidomos në kujdesin shëndetësor

Besa Ismaili Ahmeti, deputete e PDK-së, tha se personat me nevoja të veçanta, përballen me pa barazi sidomos në kujdesin shëndetësor.

Ismaili Ahmeti, këtë deklaratë e bëri gjatë debatit parlamentar për gjendjen e të drejtave të personave me nevoja të veçanta në Republikën e Kosovës.

“Pavarësisht që janë të rrezikuara nga Covid – 19 si gjithë të tjerët, personat me nevoja të veçanta përballen me shumë pa barazi në qasjen e kujdesit shëndetësor gjatë pandemisë për shkak të informacionit dhe mjediseve të pa arritshme institucionale”, tha ajo.

Ismaili Ahmeti tha se një praktikë premtuese do të ishte krijimi i një grupi këshillimor për persona me nevoja të veçanta për të këshilluar qeverinë për sfida dhe boshllëqe në strategji sistemore dhe për hapat që duhet ndërmarr.

“Shumica e këtyre personave varen nga kujdestarët dhe për shkak të bllokimit edhe kujdestarët e tyre kanë lëvizje të kufizuar gjatë kësaj pandemie. Sistemi i mbështetjes është ndaluar papritur. Askush apo pak kanë menduar se si këta njerëz po e menaxhojnë jetën e tyre në pandemi për nevojat nga më të rëndomta”, tha ajo.