Blerta Deliu-Kodra në seanncën e Kuvendit, 27 janar 2022

Deputetja Blerta Deliu – Kodra padit ministren Haxhiu për shpifje

Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu – Kodra, ka dorëzuar padi për shpifje ndaj ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Tendenca që me shpifje dhe fyerje ndaj opozitës me e zhvendosë vëmendjen nga skandalet korruptive të kësaj qeverie, nuk kalon. As nuk frikësohemi e as nuk zmbrapsemi nga angazhimi ynë për të denoncuar krimin dhe korrupsionin e këtij pushteti”- ka shkruar deputetja Deliu – Kodra në Facebook.

“Shihemi në gjykatë, Albulenë”- ka shtuar ajo.

Ministrja Haxhiu deklaroi se deputetja Deliu – Kodra ka marrë para pa qenë prezente në mbledhjet e Komisionit për Kompensim të Viktimave të Krimit.

“E kam kërkuar një auditim në Ministri të Drejtësisë, në raport me punën e komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, edhe këtu gjejn me vjedh. Kjo (Blerta Deliu) edhe përkundër faktit që më shumë s’ka shku në mbledhje sesa që ka shku, i ka marrë pare më shumë se 2000 euro. Për mua është keqpërdorim, hajni, mbledhje. Zonja Deliu – Kodra nuk ka qare pa i kthy paret që janë të Ministrisë së Drejtësisë”- ka thënë ajo në ATV.