Raportimi i Bordit të RTK-së para Komisionit për Financa Publike, 11.06.2024

Deputeti i PDK-së i quan shqetësuese gjetjet e ZKA-së për RTK-në në raportin e vitit 2023

Komisioni parlamentar për Mbikëqyrje të Financave Publike është duke shqyrtuar gjetjet e raportit të auditimit për c (RTK), për vitin 2023.

Zyra Komëbare e Auditimit (ZKA) ka publikuar në muajin maj Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Radio Televizionit të Kosovës, për vitin e përfunduar më 31 Dhjetor 2023.

Deputeti i PDK, Hajdar Beqa kërkoi sqarime nga Bordi për gjetjet e ZKA-së, duke i konsideruar shqetësuese.

“Gjetjet janë shqetësuese. Këtu janë Bordi dhe drejtori që do të na japin më shumë shpjegime, por duhet të përgëzoheni që keni zbatu rekomandimet e vitit të kaluar”-  tha deputeti Beqa.

Ndërsa kryetari i bordit, Besnik Boletini, tha se 100% të rekomandimeve nga viti i kaluar, janë zbatuar nga ana e RTK-së.

Sipas tij, RTK shumë shpejtë do të ketë një plan të veprimit për zbatimin e rekomandimeve.

“Nga viti paraprak janë zbatuar 100% të rekomandimeve, po e llogariti 100% sepse rekomandimi për pronën do të përsëritet. Është evident raporti i këtij viti. ZKA ka bërë raportin për 2022, kur ne nuk kemi qenë atë vit. Kemi pasur 8 gjetje si bazë për opinion, ndërsa këtë vit e kemi 1 gjetje për bazë për opnion dhe 6 rekomamdime të reja dhe kjo për pronë. Natyrisht që jemi të shqetësuar për gjetjet e tjera, sidomos për rekrutim. Ne e kemi bërë një rregullore për rekrutime. Kurse çështjet tjera do të adresohen dhe janë shqetësuese, sepse kanë mundur të jenë të shmangshme”- ka thënë Boletini.

Ndërsa deputeti Hajdar Beqa pyeti bordin se pse kërkohen nga departamenti i marketingut raporte të punës, ndërsa për departamentet e tjera jo. Sipas Beqës, kjo mënyrë është selektive.

Kurse kryetari Boletini ja ktheu se “nuk jemi të kënaqur me performancën në marketing”.

Anëtarja tjetër e bordit, Albulena Mehmeti, tha se kanë pritur që performanca e departamentit të marketingut të jetë më e mirë.

“Çdo herë këto diskutime kanë ardhur pas krahasimeve të raporteve. Asnjëherë në diskutime zyrtare nuk është diskutuar shitja e marketingut të RTK-së. Tani për tani programet janë sepse ankesat kanë qenë që nuk ka programe. Shifrat janë në rënie çdo herë”- ka thënë Mehmeti.

Kurse drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, tha se RTK nuk do duhej të kishte fare reklama, si televizion publik që është.

“Në gjykimin tonë RTK nuk duhet të kishte pasur fare reklama, sepse kjo mund të zbehë pavarësinë e medias. Tek mediat publike në gjykimin tim nuk duhet të kishte reklama që të ishte i lirë nga politika dhe grupet e interesit”- ka thënë Ahmetxhekaj para Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike.