Deputeti i LVV-së, Fitim Uka, kritikon menaxhimin e pandemisë nga ministri Armend Zemaj

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, ka kritikuar menaxhimin e pandemisë COVID-19 nga ministri i LDK-së, Armend Zemaj.

Ai ka thënë se nuk ka asnjë logjikë që të hiqen të gjitha masat parandaluese ndaj cornavirusit ndërkohë që numri i rasteve pozitive është në rritje.

“Që nga fillimi i punës të këtij ministri ilegal, ne kemi qenë kritik edhe për faktin se në mënyrën sesi janë lehtësuar masat në pikëvështrimin tonë është joserioze, madje është edhe jologjike. Kohëve të fundit ne po ballafaqohemi me hapje të tërësishme  dhe likuidim të të gjitha masave të cilat kanë qenë në fuqi e në anën tjetër po përjetojmë rritjen më të madhe të të infektuarve me COVID-19. Kjo nuk ka asnjë lloj bazamenti shkencor”, ka thënë Uka në një intervistë për KALLXO.com.

Deputeti opozitar ka thënë se ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, duhet të reflektojë ndaj situatës së krijuar ndërsa ka thënë se kritikat që i behën nuk janë politike por profesionale.

“Çfarë po ndodh këtu është, hapen masat dhe rriten njëkohësisht numri i atyre që janë të infektuar me COVID-19 dhe kjo është një arsye pse ne duhet të shqetësohemi”, thotë ai.

“Ajo që duhet ta dijë opinioni publik është pjesë politike e reagimit tonë, kjo ka të bëjë me parimet profesionale, me mënyrën se si ne e shohim mundësinë që të menaxhohet COVID-19, por siç duket ky ministër ka strategji krejt tjetër, e ka vendosur ekonominë si kryeprioritet dhe ka një plan që për ne është i pakuptueshëm. Numrat që na vijnë, qoftë të infektuarit, qoftë të vdekurit, nuk i japin atij të drejtë. Ai duhet të ndalet e të reflektojë se ose kjo paaftësi në menaxhim po i kushton popullatës”, deklaroi tutje Fitim Uka.

Tutje, deputeti Uka ka thënë se Armend Zemaj nuk është kompetent dhe profesional. Ai ka thënë se duhet të monitorohet manuali i hartuar nga IKSHP për të parë rezultatet.

“Kemi të bëjmë me një ministër edhe jokompetent edhe joprofesional edhe që po i kushton shumë shëndetësisë në këtë kohë”, tha ai.

Sot gjatë ditës, Zemaj tha se rritja e rasteve pozitive ditëve të fundit vjen prej kohës kur më 1 qershor u morën masa të reja nga Qeveria e Albin Kurit.

Por, kështu nuk mendon Fitim Uka nga partia e Kurtit. Ai ka thënë se lirimi i masave ishte paraparë të jetë graduale, e jo siç ka vepruar Qeveria të cilës i prin Avdullah Hoti.

Fitim Uka, Deputet i LVV-së

“Nuk më çudit asnjë deklaratë e këtij ministri aktual. Ai nuk e ka idenë se çfarë  po flet. Nëse i ka lexuar me vëmendje mund t’i shohë dokumentet që i ka finalizuar Ministria e Shëndetësisë, aty thuhet se hapja e masave do të bëhet gradualisht, po këtij ministri nuk i ka interesuar t’i lexojë ato. Ai nuk po i merr parasysh as rekomandimet e Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike”, tha Uka.

”Kapërcimi nga një masë te tjetra, ka qenë i pakuptimtë. Ai ka pasur premtim edhe testimin në masë, që nuk po ndodhë. Po të ishte ministri Vitia do të kishim një situatë më të mirë në terren”, deklaroi ai.

Ai ka folur edhe për tubimin e Vetëvendosjes më 15 qershor në sheshin “Skënderbeu”.

Kjo është intervista e plotë e Fitim Ukës, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës:

www.kallxo.com