Deputeti i LVV-së del kundër projektligjit për buxhetin e vitit 2023

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli është deklaruar se nuk do të votojë projektligjin për buxhetin e vitit 2023.

Humolli tha se shpreson që në leximin e dytë të ndryshohet qasja në raport me këtë projektligj.

“Jam deklaruar edhe para Lëvizjes Vetëvendosje se nuk do ta votoj këtë buxhet për arsye të thjeshtë se nuk ka të drejtë askush të anashkalojë këto vlera kur ne shohim që Serbia, vlerën e luftës së humbur të viteve 1400 i motivon popullatën e vetë me qëndru në Kosovë dhe me luftu kundër Kosovës. Kurse ne njerëzit e gjallë, familjet e gjalla të cilat janë, ne i injorojmë dhe ky injorim duhet me u ndërpre dhe besoj që në leximin e dytë duhet me u ndryshu kjo qasje në raport me këtë kategori. Uroj që të reflekton Qeveria”- ka thënë Humolli.

Deputeti i LVV-së u shpreh se ky projekt buxhet dëmton sigurinë e vendit dhe se po anashkalon veteranët e luftës, sigurimin e policisë dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Po ndalem në sektorin ku ky projekt buxhet e dëmton sigurinë e vendit për arsye se motivimin për mbrojtje të vendit e pengon duke anashkaluar çështjen e veteranëve të luftës, duke anashkaluar sigurimin e Policisë, duke anashkaluar sigurimin e FSK-së. Nëse ne nuk i sigurojmë këta atëherë me çfarë motivi kanë mundësi me u përball me vështirësitë në kohën kur Serbia për çdo ditë na kërcënohet”- u deklarua Humolli.

Kuvendi i Kosovës është duke e shqyrtuar sot në parim projektligjin pet ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2023.

Buxheti i Kosovës për vitin 2023 i cili do jetë 3,2 miliardë euro, u miratua në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës e cila u mbajt në tetor të këtij viti.

Kryeministri Kurti kishte njoftuar se e të hyrat buxhetore presin që të ketë rritje prej 2 miliardë e 884 milionë euro.

“Kemi ndarë 745 milionë euro në paga dhe mëditje, 496 milionë euro në kategorinë mallra dhe shpenzime, 1 miliard e  98 milionë në subvencione dhe 811 milionë euro në shpenzime kapitale”- kishte thënë Kurti.

Ndërkaq, ministri i Financave Hekuran Murati pati thënë se ky projekt buxhet ka tre objektiva dhe pret rrije ekonomike deri në 5.5%.

Buxheti për vitin 2023 do jetë 3 miliardë e 212 milionë euro, LVV tregon se cilat fusha janë prioritet