Buxheti për vitin 2023 do jetë 3 miliardë e 212 milionë euro, LVV tregon se cilat fusha janë prioritet

Buxheti i Kosovës për vitin 2023 do jetë 3,2 miliardë euro, derisa Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se cilat janë fushat me prioritet për qeverinë.

Përmes një njoftimi, Lëvizja Vetëvendosje theksoi se shëndetësia, arsimi, mbrojtja e bujqësia vazhdojnë të jenë prioritet i qeverisë.

Për sektorin e shëndetësisë janë ndarë 296 milionë euro ku pritet edhe shtim i stafit mjekësor.

“Prej këtij buxheti janë ndarë 296 milionë euro për sektorin e shëndetësisë në nivel qendror e lokal dhe 60 milionë euro janë për barna esenciale për t’u siguruar që spitalet dhe qendrat e mjekësisë familjare janë mirë të furnizuara për të ofruar shërbime ndaj qytetarëve. Për këtë po ashtu do të shtohen edhe 400 pozita: 100 në nivel qendror dhe 300 në nivel lokal” – thuhet në njoftim.

Derisa, në arsim është paraparë ndërtimi i kopshteve për fëmijë si dhe shtim stafi për asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuara.

“Në arsim për vitin e ri buxhetor në përputhje me zotime tona ndër të tjera është paraparë ndërtimi i 11 çerdheve si dhe shtimi i 243 pozita të reja për staf dhe 500 asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuara”- thekson LVV.

Sa i përket fushës së bujqësisë, sipas partisë në pushtet, buxheti për këtë fushë shkon në 87 milionë euro që do të përkthehet direkt në ndihmën edhe më të madhe ndaj bujqve dhe zhvillimin e këtij sektori jetik për vendin.

Kurse, për ushtrinë qeveria ka ndarë 123 milionë euro nga buxheti i vitit 2023.

“Vitin e kaluar kemi dyfishuar buxhetin për ushtrinë nga 50 milionë duke e çuar në 100 milionë, ndërkohë për vitin 2023 buxheti për fushën e mbrojtjes do të shkojë në 123 milionë euro duke e rritur kështu mbështetjen për për sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes” – thuhet më tej në njoftim.

LVV shtoi se në vitin 2023 po e përmbushin premtimin duke i përfshirë në skemë të gjithë fëmijët nën moshën 16-vjeçare. E për këtë qëllim, sipas tyre, është ndarë buxhet në vlerë prej 60 milionë euro.