Denoncimi për vjedhjen e taksës minerale

Një hulumtim i emisionit “Kallxo Përnime” ka shpërfaqur edhe një herë tentativën e “Ferronikel”-it për të vënë ne lajthim shtetin e Kosovës, duke bërë raportime jo të sakta në lidhje me eksploatimet e xehes në minierat në mes të fshatrave Medvec dhe Magure të Lipjanit.

Raportimet rreth minierës së “Ferronikel”-it janë përmendur si një nga arsyet kryesore të shkarkimit të bordit të KPMM-së nga Kuvendi i Kosovës.

Kuvendarët përmendën edhe zvogëlimin e borxhit për ndërmarrjen “Ferronikeli”.

Kuvendi po ashtu ka miratuar rekomandimin e Komisionit për ekonomi që vendimi i KPMM-së për zvogëlimin e borxhit të “Ferronikel”-it nga 9 milionë në rreth 1 milion të kthehet në rivendosje.

Çështja e zvogëlimit të borxhit është publikuar gjatë një hulumtim të emisionit “Kallxo Përnime” një vit më parë, në të cilin tregohej historia se si bordi i KPMM-së ia kishte zvogëluar këtë borxh “Ferronikel”-it.

https://kallxo.com/lajm/rrjedha-si-u-hodh-poshte-dosja-e-ferronikeli-t-per-borxhin-9-milionesh/

Ky nuk mbeti diskutimi i vetëm ne lidhje me këtë ndërmarrje.

Qeveria e Kosovës në dhjetorin e vitit 2020 kishte propozuar Ligjin për rimëkëmbje ekonomike – COVID 19. Neni 14 i këtij Ligji parasheh që me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike lirohen nga pagesa e rentës minerare prej datës 1 janar 2021 deri më 31 maj 2021 të gjitha subjektet që obligohen të paguajnë ketë rentë.

Në vitin 2013, në një raport të siguruar nga emisioni ynë thuhet se ndërmarrja “Ferronikeli” ka raportuar në KPMM se ka shfrytëzuar sasinë prej 153.200.00 tonë për periudhën TM1, TM2 dhe TM3 të vitit 2021. Ky raport i është dorëzuar KPMM-së më datën 30.06.2023.

“Më datën 20.03.2023 Inspektorati i KPMM-së ka vizituar ndërmarrjen Newco Ferronikeli Complex L.L.C aplikacioni 2815, licenca 2118/KPMM/2020. Bazuar në këtë vizitë, inspektorët e KPMM-së me datën 06.04.2023 prot. 1989 përpilon raport sipas të cilit përpos tjera është konstatuar se në licencën 2118/KPMM/2020 nuk ka filluar aktiviteti i shfrytëzimit, përderisa ndërmarrja në KPMM ka raportuar se ka shfrytëzuar sasinë 153.200.00 ton për periudhën TM1, TM2 dhe TM3 2021 (raportim në Departamentin e Gjeologjisë). Kërkohet nga ndërmarrja që të sqaroi në lidhje me këtë raportim të pa saktë, apo të dëshmoj se ne cilën licencë e ka shfrytëzuar sasinë e raportuar në Departamentin e Gjeologjisë” -thuhet në raportin e parë të KPMM-së dorëzuar ndërmarrjes “Ferronikeli”.

Të gjitha eksploatimet që ndodhin nga janari deri në qershor 2021 lirohen nga pagesa për rentën minerale. E pikërisht në këtë kohë “Ferronikeli” kishte raportuar se ka pasur eksploatime dhe kjo ka ngritur dyshimet që raportimi ka ndodhur për t’i shmangur pagesat ndaj shtetit.

KPMM në qershorin e vitit 2023 ka nxjerrë një aktvendim dhe e ka gjobitur ndërmarrjen “Ferronikeli” me 5 mijë euro gjobë për raportim të pasaktë.

“Në pikën 1 të këtij aktvendimi Ferronikeli është dënuar me gjobë 5 mijë euro për raportim dhe deklarim jo të saktë”- thekson aktvendimi i KPMM-së.

Ndërmarrja “Ferronikeli” e kishte kundërshtuar vendimin duke u arsyetuar se ka raportuar gabimisht.

Kjo ka bërë që KPMM-ja të formojë një komision prej 5 vetave që të verifikojnë edhe një herë se e ka pasur eksploatime apo jo në atë kohë.

Salih Mulaj, ushtruesi i detyrës së drejtorit në KPMM, ka thënë se ende janë duke e shqyrtuar raportin me të dhënat e fundit.

“Për gjetjet aty dhe me këqyr e marrë masa, kështu që një herë për një herë s’kemi marrë masa se është në procedurë. Është një raport i inspektorëve për një raportim të pasaktë në njërën nga licencat e ndërmarrjes. Bazuar në këtë pasaktësi që e ka identifikuar Inspektorati, KPMM-ja, Departamenti Juridik ka përgatitë një kërkesë tek ndërmarrja dhe ka thënë për me dhënë sqarime në lidhje me gjetjet e inspektorëve. Ndërmarrja është përgjigjur, pastaj, përgjigja e ndërmarrjes i ka paraqitur disa kundërthënie me raportin që e kanë bërë këta dhe për këtë arsye është dashur me formu një komision profesional prej 5 vetëve që kanë pasë me dalë me projekt dhe me përpilu një raport me sqaru saktë ku është problemë”- ka thënë Mulaj.

Mulaj duke treguar se nuk kanë marrë masa për punëtorët e KPMM-së që nuk e kanë verifikuar zonën se e ka pasur eksploatime apo jo ka thënë se ndërmarrjet kanë mundur të keqpërdorin 5-mujorin e liruar nga taksat e rentës minerale.

“KPMM-ja bën inspektime të rregullta të planifikuara vjetore për ndërmarrjet dhe inspektime ad-hoc nëse dyshon për një rast tjetër. Kështu që çdo fillimvit bëhet plani i inspektimeve të rregullta dhe me ligj është e paraparë periudha kohore. Mirëpo në përgjithësi është e mundshme që ndërmarrjet do ta kenë përdorur atë pesëmujorin, keqpërdorur më mirë me thënë”- thekson Mulaj.

Dyshime se KPMM e favorizoi ndërmarrjen “Ferronikeli” janë ngritur gjatë emisionit “Kallxo Përnime” nga Nasuf Mjekiqi, i cili deri në vitin 2022 kishte qenë menaxher i minierave të “Ferronikeli”-t. Ai pretendon se u degradua nga kjo pozitë  pasi nuk pranoi të bënte matje të xehes jashtë zonës së licencës.

“Unë kam qenë menaxher i minierave të ndërmarrjes. Në vitin 2022 jam degradua në një pozitë tjetër si inxhinier ndërrimi pasi nuk kam pranuar të raportoj në KPMM duke e shkelur ligjin sepse i kam thanë që jemi jashtë licencës dhe nuk e di qysh mundem me raportu në KPMM”- theksoi Mjekiqi.

Hulumtuesit e emisionit “Kallxo Përnime” kishin tentuar që pretendimet e Mjekiqit t’i ndajmë me Inspektoratin e KPMM-së, duke dalë në  terren dhe t’i përcjellim tek ta pretendimet e Mjekiqit, por një gjë e tillë nuk ishte pranuar nga Inspektorati i KPMM-së.

“Po ju njoftoj edhe një here se për ketë rast qe po e potenconi ju me herët është hetuar nga Krimet Ekonomike dhe janë intervistuar persona te caktuar nga KPMM dhe Feronikel dhe ky rast është mbyllur ku konsideroj se edhe për ne si KPMM është i mbyllur për rastin e caktuar. Prap ish Menaxheri inicion rast dhe pretendon se ka nxjerrje te xehes ne kundërshtim me Ligjin, i kisha preferuar ish Menaxherit ti drejtohet organeve kompetente e jo redaksive. Me kërkesën e juaj  për me caktuar inspektor nga KPMM për me inspektua  zonën ku pretendohet se ka nxjerrje te xehes duke shkelur Ligjin, ju njoftoj se nuk mundem me caktua inspektor sepse konsideroj se ky problem është i  mbyllur” – thuhet në përgjigjen e KPMM-së

Mjekiqi pretendon se ish-shefat e tij në “Ferronikel” i kanë thënë të mos shqetësohet për KPMM pasi ish-drejtorit Ramiz Krasniqi ia kanë punësuar djalin në “Ferronikel”.

Krasniqi e pranon se djali i tij punon në “Ferronikel” por e mohon të këtë ndikuar në punësimin e tij, dhe të ketë ndikuar në raportimet që ndërmarrja i bën në KPMM.

“Djali im punon në ‘Ferronikel’ që disa vite, po është e vërtetë se është punësuar gjatë kohës sa unë kam qenë ne pozitën e drejtorit por në asnjë mënyre unë nuk kam ndikuar në punësimin e tij. ‘Ferronikeli’ raporton çdo 3-mujor dhe raportin vjetor nëse KPMM-ja shfaq dyshime del Departamenti për Matje dhe i verifikon dhe nuk mundet kurrqysh me i ikë rentës, del departamenti i bën matjet dhe kurrfarë gjase teorike nuk ka ai mos me i pagu sa i ka shfrytëzu” – theksoi Krasniqi.

Ndërmarrja “Ferronikeli” nuk ka pranuar të përgjigjet në pyetjet e emisionit lidhur me raportimet e pasakta në KPMM, e as nuk ka ofruar qasje për menaxherët e përmendur gjatë këtij hulumtimi.

Ata ishin përgjigjur për degradimin e Mjekiqit dhe sipas përgjigjes së tyre thuhet se edhe Inspektorati i Punës e ka trajtuar ankesën e Mjekiqit.

“Në rastin konkret, lidhur me ripozicionimin e punonjësit, z. Nasuf Mjekiqi ju njoftojmë se i njëjti ka bërë ankesë te Inspektorati i Punës, por lënda është vlerësuar në favor të kompanisë, duke e vërtetuar vendimin e rregullt dhe ligjor nga ana jonë. Kompania ‘NewCo Ferronikeli’ është e pajisur me të gjitha licencat e rregullta për shfrytëzim dhe eksploatim të mineraleve në vendburimin Miniera e Gllavicës, afër fshatrave Magure dhe Medvec në komunën e Lipjanit. Ju njoftojmë se kompania ‘NewCo Ferronikeli’ në asnjë rast nuk ka bërë dhe nuk bën shfrytëzim të minierës jashtë licencave përkatëse për eksploatim që lëshohen nga KPMM dhe një gjë e tillë nuk është konstatuar në asnjë rast nga organet mbikëqyrëse”- thuhet në përgjigjen e “Ferronikeli”-t.

Për degradimin e Mjekiqit e po ashtu për punësimet në “Ferronikel” pasi nuk kemi pasur mundësi t’i pyesim menaxherët e ‘Ferronikeli’-t, të cilat kanë thënë se përgjigjen vetëm me shkrim, e kemi pyetur udhëheqësin e Sindikatës së “Ferronikeli”-t, Fehmi Nika, i cili kishte qenë prezent kur Mjekiqit i ishte komunikuar vendimi.

“Ne kemi qenë ne takim bashkë me Mjekiqin por kur atij iu  komunikua vendimi për ndryshimin e vendit të punës në një pozitë shumë të ulët ai u revoltua dhe e ka lëshuar takimin dhe nuk ke mundësia me i ballafaqua ata mes vete por e di që Mjekiqi ka marrë lëvdata për punën e bërë në “Ferronikel”- thotë Nika.

Në vitin 2021 kryeinspektor i KPMM-së ka qenë Fatmir Gërguri.

Ai ka pranuar të flasë për emisionin dhe ka dhënë versionin e tij për ngjarjet rreth minierës së Gllavicës.

“Unë nuk e besoj që ka pasur eksploatime të jashtëligjshme por është dashur sinjalizimi të vijë me kohë sepse tash është me vështirë me u faktu dhe nuk e di kush mundet me bo shpime diku më pak se 100 metra për me pa se a ka pasur eksploatime a jo”- thotë Gërguri.

Nga Ligji për rimëkëmbje ekonomike kanë përfituar edhe gurthyesit dhe kompanitë të cilat kanë licenca për eksploatim nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale. Atëkohë në listën e ndërmarrjeve të liruara ishin 230 kompani. Nga KPMM-ja e pranojnë se nuk kanë një mekanizëm për ta vërtetuar se a ka pasur edhe kompani të tjera që kanë mundur të raportojnë ngjashëm me “Ferronikeli”-n.