Komisioni për Ekonomi dhe menaxhmenti diskutojnë gjendjen në ndërmarrjen 'NewCo Ferronikeli'

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka diskutuar me menaxhmentin e ndërmarrjes “NewCo Ferronikeli” lidhur me gjendjen në këtë ndërmarrje.

Drejtori i përgjithshëm i “NewCo Ferronikeli”, Genci Beribashi tha se Ferronikeli është investitor i huaj në Kosovë dhe shtoi se janë reklamë e mirë për të tërheq investitorë të rijnë në Kosovë.

Ai shtoi se prodhimi në Ferronikel është ndaluar prej datës 8 tetor 2021. Sipas tij, Kosova ka kapacitete të prodhimit të energjisë.

“U bën gjashtë muaj që Ferronikeli nuk po punon. Është vendi i dytë me tarifat më të lira të energjisë elektrike në Evropë”, tha ai.

Beribashi shtoi se garantimi i pronës është pikë minimale për të tërheq investimet e tyre dhe shtoi se “në këtë drejtim nuk kemi gjet mbështetje nga institucionet”.

Ai shtoi se për ta tejkaluar situatën bashkëpunimi i ngushtë privat – publik është në të mirë të Kosovës.

“Në të gjitha rastet kemi propozua të gjejmë bashkëpunim në periudhën e pranverës kur është e ditur që gjenerimet e tejkalojnë ndjeshëm nevojën e konsumit. Kemi propozua të marrim 30 deri 40 të nevojës së operimit tonë nga gjenerimi vendor me një çmim që paguan çdo biznes ose pezullim të përkohshëm të liberalizimit të tregut energjik për gjashtë muaj. Dhe garantimi i pronës private. Kam pronë private të certifikuar nga institucionet”, tha ai.

Edhe Steven Grunerud kryesues i bordit “NewCo Ferronikeli” tha se kanë kërkua prej shumë institucioneve ministrisë, ZRrE, për mbështetje.

“Pas gjashtë muajsh diskutimesh nuk kemi qenë në gjendje me marr përgjigje”, tha ai.

Grunerud tha se nuk donë që kompania të mbyllet.

“Besojmë që ka të ardhme për Ferronikelin edhe pse jemi në kohë të vështirë. Kemi propozua zgjidhje të mundshme por nuk kemi marr përgjigje që t`i kthejmë punëtorët në punë. Mesatarja e punëtorëve të Ferronikelit është mbi 50 vjet. Po mundohemi që ti punësojmë të rinjtë që të rrinë në Kosovë e mos të ikin”, tha Grunerud.

Grunerud shtoi se kanë pritur që në mars ose prill të dalin me ndonjë zgjidhje të mundshme.

“Është e qartë që ne po mundohemi ti ndihmojmë Kosovës dhe njerëzve në Kosovë. Ne mund të diskutojmë ende për ndonjë zgjidhje të mundshme nëse ka vullnet nga ana e kundërt”, përfundoi ai.

Mimoza Kusari Lila anëtare e Komisionit ka kërkuar të dije për të hyrat dhe fitimet e kompanisë prej që e ka marr Ferronikelin.

“Sa është shuma që kompania ka përfituar nga institucionet si rrjedhojë e ligjit për rimëkëmbje. Sa e keni pas qarkullimin vjetor dhe sa ka qenë fitimi deri në vitin 2020 deri sa jemi përball me krizën e pandemisë dhe krizën e energjisë”, tha ajo.

Ndërsa, Beribashi ka kërkuar takim të dytë për tu përgjigjur lidhur me pasqyrimet e investimeve dje rezultatet e kompanisë.

“Jemi të deklaruar 100 për qind në Kosovë. Kurdo që ju e keni mundësin ua pasqyroj gjitha investimet dhe rezultatet e kompanisë që nuk ka qenë në fitim gjatë kësaj periudhe”, tha ai.

Ndërsa deputetja e LDK-së Valentina Bunjaku tha se më shqetësuese është gjendja e punëtorëve dhe kërkoi  të dije për pasqyrën e punëtorëve.

“Nëse duhet tu ndihmohet duhet të ndihmohen punëtorët që kanë dal në grevë. Ju jeni kompani private kur e keni privatizua duhet mi parapa krizat fitimit. Qeveria kisha dashtë mi ndihmu punëtorët dhe subvencionu”, tha ajo.

Beribashi shtoi se nga 8 tetor 2021 i kanë pas 950 punonjës.

“Rreth 100 punëtor kanë qenë të lidhur me planin e zbatueshmerisë dhe të parët që janë ataku me krizën kanë qenë këta 100 punëtor që merreshin me implementimin e projekteve”, tha ai.