‘NewCo Ferronikeli’ rifillon prodhimin e energjinë pas dy vitesh ndërprerje

Kompania “NewCo Ferronikeli” ka mbajtur ceremoninë hapëse të rifillimit të prodhimit, pas dy vitesh ndërprerjeje si rezultat i krizave në tregjet ndërkombëtare.

Drejtori i  ‘NewCo Ferronikeli’ Cemil Acar, ka thënë se kanë punuar një periudhë të gjatë për ta ndërtuar një strategji të re se si mund ta ringritin këtë kompani.

‘’Një kohë Ferronikeli është ndikuar vazhdimisht nga konjukturat e tregut, nga vështirësitë e ndryshme që ka kaluar dhe herë pas here është detyruar që të ndalojë prodhimin. Si Yildirim Grup objektivi ynë është që Ferronikel-in ta bëjmë kompani aktive, efiçiente që të ketë një kontribut të vyer në ekonominë e Kosovës’’ – është shprehur Acar gjatë fjalimit të tij.

Ai ka bërë të ditur se kompania ka të punësuar rreth 11,000 punëtorë dhe qëllimi i tyre është që të prekin pozitivisht në jetën dhe interesin e gjithë atyre që kanë lidhje me aktivitetin e NewCo Ferronikelit.

Kurse Mehmet Sevket Erol, shefi i operacioneve në lidhje me metalet dhe metalurgjinë në Yildirim Holding ka thënë se, në Ballkan fillimisht kanë blerë fabrikat dhe minierat e ferrokromit në Shqipëri, kompaninë ‘Albchrome’, ndërsa rreth një vit më përpara ‘NewCo Ferronikelin’ e Kosovës.

Erol ka thënë se kriza e energjisë elektrike ka ndikuar sidomos në aktivitetin e energjisë në Kosovë, në Ferronikel kur s’kishin mundur as ta fillojnë prodhimin e energjisë.

‘’Kemi për qëllim të vazhdojmë prodhimin duke vazhduar paralelisht edhe me rritjen e kapacitetit të prodhimit, dhe ndërkohë që rritet puna, duam që edhe numrin e punëtorëve nga sot 800 ta bëjmë 1000, 1500, 2000, e pse jo më tepër’’ – ka thënë Erol.

Në anën tjetër, Ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë, Tunç Angili ka thënë se Turqia do të vazhdojë të mbetet partneri më i fuqishëm i investimeve ekonomike në Kosovë.

‘’Yildirim Holding ka bërë një investim të rëndësishëm në Kosovë së fundi, duke marrë kompaninë e Ferronikelit. Me aktivitetin që ka për ta shprehur në shifra, ndikon në ekonominë e 10,000 personave, që do të thotë është rreth 10% e kapacitetit ekonomik të Kosovës’’ – tha Angili.

I pranishëm ishte edhe ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, i cili është shprehur krenar me këtë investim në Kosovë.

‘’Padyshim Ferronikeli i cili është burimi i kontributit të jetës së mirë familjare, do të kontribuojë edhe në mirëqenien e Republikës së Kosovës, në aspektin mikro dhe makro, duke kontribuar në përforcimet e saj’’ – ka deklaruar Damka.

‘’Këto investitorë nga Turqia mund t’i shihni në shumë sektorë, në sektorin bankar, menaxhimin e aeroportit, energjinë, prodhimtarinë dhe shërbimet. Kontributi ekonomik nga Ferronikeli për shtetin e Kosovës është shumë i rëndësishëm, pasi Kosova do të përfitojë me rritjen e eksportit’’ – shtoi ministri.

Në qershor të vitit të kaluar KALLXO.com ka raportuar se kompania “NewCo Ferronikeli” i është shitur kompanisë turke “YILDIRIM”.