Ilustrim

LVV synon shkarkimin e bordit të KPMM-së përmes ndryshimit të Ligjit

Kuvendi i Kosovës ka shqyrtuar sot Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet përmes të cilit partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, po synon shkarkimin e bordit të Komisionit të Pavarur për Minierat dhe Mineralet.

Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se kjo parti ka propozuar të fshihen paragrafët 3 dhe 4 të nenit 60 të Ligjit aktual, për shkak se, sipas saj, këto dispozita përfshijnë kontestin administrativ në Gjykatën Administrative, përkundërqë për institucionet e tjera është e rregulluar që kur bordi shkarkohet nga Kuvendi instanca ku mund të ankohen është Gjykata Kushtetuese.

Kusari-Lila ka thënë se Kosova është republikë parlamentare dhe Kuvendi nxjerr akte juridike dhe jo administrative.

“Kjo dispozitë është në kundërshtim me konceptin e republikës parlamentare, ku Kuvendi është organi më i lartë legjislativ dhe vendimet e Kuvendit mund të kundërshtohen vetëm në organet kushtetuese. Po ashtu, sipas rregullimit aktual proceduralisht ne mund të ballafaqohemi me bllokim të institucionit të Komisionit të Pavarur të Minierave dhe Mineraleve në situatën kur të njëjtit nuk mund të vazhdojnë të ushtrojnë funksionin e tyre, por vazhdojnë të paguajnë me pagë të plotë. Kurse qeveria bllokohet të propozojë dhe kuvendi të emërojë anëtarë të bordit në këtë institucion”- ka thënë ajo.

Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se Kuvendi duhet të shkarkojë bordin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Por, ai ka shtuar se shkarkimi i tyre përmes ndryshimit të Ligjit është i gabuar, pasi një e drejtë e fituar me një ligj nuk mund të ndryshohet në proces e sipër.

“Ndryshimet në këtë Projektligj kanë të bëjnë me shkarkimin e bordit për miniera dhe minerale. Një bord që para një viti e keni miratuar në këtë Kuvend dhe ne si opozitë e kemi kundërshtuar. E para, besoj se do ta dini, një e drejtë e fituar me një ligj nuk mund të ndryshohet në proces e sipër me një ligj tjetër. Prandaj ne jemi që t’i shkarkojmë këta njerëz, por ndryshimi i këtij ligji për shkarkimin e tyre është i pavlefshëm”- ka thënë ai.

Ai ka kërkuar formimin e një komisioni hetimor në Kuvend për punën e këtij komisioni.

Lidhur me këtë deklaratë, deputetja Kusari-Lila ka mohuar se bordi aktual i Komisionit për Miniera dhe Minerale kanë lidhje me pushtetin.

“Sikur të kishin qenë këta njerëz të kryeministrit apo pozitës, çështjes për të cilat i kemi ngritur publikisht do t’i adresonim privatisht, ju e dini shumë mirë si këto punë kryhen. Nuk kishim bërë publike ne problemet e brendshme të bordit, sikur të ishin njerëz të besueshëm të dikujt”- thaa Kusari-Lila.

Kuvendi nuk ka arritur ta miratojë këtë Projektligj për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme pasi disa prej deputetëve të pranishëm nuk kanë marrë pjesë në votim.

Më 2 shkurt të këtij viti, me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje, Kuvendi e ka hequr nga rendi i ditës pikën për shkarkimin e bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

KALLXO.com ka publikuar një hulumtim në të cilin tregoi se si KPMM ia kishte zvogëluar borxhin ‘Ferronikelit’, duke filluar nga konstatimi i borxhit e deri tek vendimi për të ulur këtë borxh.

Rrjedha si u hodh poshtë dosja e “Ferronikeli”-t për borxhin 9-milionësh