Delegacioni i Belgjikës në Asamblenë e NATO-s: Jemi këtu për të konfirmuar përkrahjen për Kosovën

Një delegacion nga Parlamenti Federal i Belgjikës në Asamblenë Parlamentare të Aleancën Veriatlantike – NATO, që po qëndron në Kosovë, takuan paraditen e së premtes delegacionin e Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Në një konferencë për media, kryesuesi i këtij delegacioni Theo Francken u shpreh se do përkrahin në  vazhdimësi Kosovën, pavarësinë dhe integritetin territorial të vendit.

“Belgjika gjithmonë e ka përkrahur shtetin tuaj që nga dita e parë e pavarësisë dhe Belgjika do e përkrah gjithmonë Kosovën si vend i pavarur, sovran dhe integritetin territorial të vendit tuaj, është shumë shumë e rëndësishme që kjo gjë të potencohet. Ka shumë tensione në Ballkan dhe në vendin tuaj, mendoj se është gjë e mirë që jemi këtu për të theksuar se Belgjika qëndron në anën tuaj”- u shpreh ai.

Sipas tij, Kosova mund të jetë dhe duhet të jetë anëtare e asociuar e NATO-s- që do ishte një hap shumë i mirë përpara.

“Është shumë e rëndësishme që parlamenti i NATO-s të flas për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, ky vazhdon të jetë prioritet yni”- theksoi ai.

Francken tutje potencoi se si Evropë Perëndimore e kanë përgjegjësi të garantojnë siguri për pjesën lindore të kontinentit.

“Me pushtimin e Ukrainës nga Rusia shohim që ana lindore vazhdon të jetë jostabile, në presion dhe është përgjegjësi e jona si Evropë Perëndimore t’i përkrahim evropianët që jetojnë në anën lindore të kontinentit. Stabiliteti dhe siguria për juve dhe njerëzit tuaj është shumë e rëndësishme”- u shpreh ai.

Theo Francken foli edhe për diasporën e Kosovës në Belgjikë dhe faktin se vendi i tij është zemërhapur për të gjithë njerëzit nga Evropa.

“Kemi shumë persona nga Kosova në Belgjikë- më shumë se 40 mijë, jemi gjithmonë zemër hapur për njerëzit nga Evropa që vijnë në vendin tonë, besoj se është ë rëndësishme që të punohet”- tha për fund ai.

Derisa, përfaqësuesi i delegacionit nga Kosova, Driton Hyseni tha se delegacionin nga Belgjika e njoftuan për situatën në Kosovë.

“Kishim një takim shumë përmbajtësor, i njoftuam delegacionin me zhvillimet në Kosovë, situatën politike, punën e institucioneve, por edhe me situatën politike në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi”- u shpreh Hyseni.

“I njoftuam edhe me aspiratat që kemi në raport me asamblenë parlamentare në NATO-s, me ngritjen e nivelit të prezencës tonë në kuadër të kësaj asambleje”- shtoi më tej ai.

Sipas tij, delegacioni nga Belgjika e kanë konfirmuar përkrahjen e vendit të tyre për Kosovën.

“Jemi shumë të nderuar nga përkrahja e delegacionit të Belgjikës, por edhe këtij vend si shtet ndaj vendit tonë sa i përket integrimit evropian dhe këtë përkrahje na e konfirmuan edhe sot delegacioni i Belgjikës me qëllim që Kosova të mos ndihet e lënë anash, por të jetë pjesë e familjes së vlerave evropiane”- ka thënë ai.

Delegacioni nga Parlamenti Federal i Belgjikës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s do priten edhe nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca si dhe do kenë takim me kryetarët dhe zëvendëskryetarët e Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri, Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe Komisionit për Integrim Evropian.