Nga protestat për Astrit Deharin në nëntor 2016 | Foto: Atdhe Mulla

Deklarata e Naser Makollit: Astrit Dehari asnjëherë s'e ka përmendur se mund t’i bëjë diçka vetes

Naser Makolli, ish- cimeri i Astrit Deharit, i gjetur i vdekur në qelinë e tyre më 5 nëntor të vitit 2016, e kishte përshkruar Astritin si një njeri të qetë, të lumtur, që nuk paraqiste asnjë çrregullim, asnjë frikë apo shqetësim dhe se i njëjti asnjëherë nuk e kishte përmendur se do të mund t’i bëjë diçka vetes.

Edhe Makolli gjashtë muaj më pas ishte gjetur i vdekur në qeli në Burgun e Lipjanit ndërsa analizat e raportit të tij nuk u lexuan asnjëherë për shkak se i njëjti nuk kishte arritur që të bënte një analizë të fundit.

Shërbimi Korrektues i Kosovës kishte njoftuar se Naser Makolli dëshmitari kyç dhe ai i cili e kishte gjetur i pari Astrit Deharin të shtrirë për toke, kishte vdekur si pasojë e një sëmundjeje shëndetësore.

Në ekspertizën e publikuar nga avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, tregohen saktësisht të gjitha deklaratat e atyre që gjetën Astrit Deharin të vdekur në qelinë e tij.

Deklaratat e dëshmitarëve janë të përshkruara në ekspertizën e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Lozanës në Zvicër.

Në deklaratën e Makollit thuhet se në orën 14:00 deri në orën 15:00, kishin dalë në një shëtitje por Astriti ka qëndruar në qeli pasi që nuk është ndjerë mirë.

“Kur ata janë kthyer nga shëtitja rreth orës 15 ata e kanë gjetur të shtrirë mbi tokë, inert. Ai kishte në gojë një shishe mjalti prej plastike. Ata menjehërë e kanë thirrur mjekun dhe janë informuar se kishte një puls. Ai shton se nuk ka parë gjak në trupin e tij dhe se vetëm ka parë plagë në njërën nga duart e tij. Z. Makolli saktëson se nuk kishte brisk rroje as thikë në qeli”, thuhet në raportin deri sa përflitet deklarata e shokut të dhomës së Astrit Deharit.

Në deklaratën e tij dhënë për organet e rendit, Makolli kishte thënë se Astrit Dehari kishte pasur dhimbje koke dhe kjo ishte arsyeja se pse nuk kishte dalë në shëtitje brenda rrethojave të Qendrës së Paraburgimit në Prizren.

Makolli kishte deklaruar edhe se në fillim ka menduar se ka qenë një shaka nga ana e Astrit Deharit por e ka kuptuar të vërtetën pasi ka parë gërvishtjet në njërën nga duart e tij.

Madje në deklarimin e Makollit, thuhet edhe se Astrit Dehari kishte kërkuar nga Makolli numrin e të afërmve të tij që të u telefonoj në rast se ndodh ndonjë gjë, por ka shtuar se Astrii Dehari nuk ka pasur ndonjë presion nga ndokush.

Në tri deklarata të dhëna në data të ndryshme për organet e rendit, Naser Makolli kishte deklaruar se Astrit Dehari deri në momentin e gjetjes kishte puls.

“Dehari kishte shkruar në bllokun e adresave të Makollit një seri numrash të telefonit të anëtarëve të familjes dhe miqve të tij. Arsyeja ishte se Dehari dëshironte që Makolli ta njoftonte rrethin e tij në rast të transferimit nga burgu për hetime nga ana e policisë apo ministrisë”, thuhet në raportin e ekspertizës.

Madje në qelinë ku po qëndronin Dehari, Makolli e dy persona të tjerë ka qenë edhe një telefon për të cilën Makolli kishte deklaruar se Dehari nuk e kishte përdorur asnjëherë.

Gjatë ditës së sotme, prindërit e Astrit Deharit i gjetur i vdekur më 5 nëntor të vitit 2016 në qelinë e tij në burg të Prizrenit, kanë pranuar ekspertizën mjeko ligjore të Institutit Mjeko Ligjor i cili gjendet në Lozane të Zvicrës.

Në lidhje me këtë ekspertizë ishin ndarë 50 mijë euro nga ana e Qeverisë së Kosovës.