Daçiq kërkon heqjen e reciprocitetit që të vazhdojë dialogu Kosovë - Serbi

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka thënë se dialogu Kosovë – Serbi mund të fillojë pasi të largohet masa e reciprocitetit që është vendosur nga ana e Kosovës.

“Kushtet për vazhdimin e dialogut mund të krijohen sapo pandemia të  kryhet. Është vetëm një hap që na ndan nga kjo, anulimi i tarifave dhe masave të reciprocitetet që janë në kundërshtim me çdo marrëveshje të Brukselit”, tha ai.

Ai nga kjo seancë e OKB-së bëri thirrje që sa më shpejtë të hiqet masa e reciprocitetit.

“U bëjë thirrje që të hiqen masat e njëanshme dhe t’i kthehemi dialogut sepse më shumë se kurrë duhet të jemi afër me njëri tjetrit”, tha ministri i jashtëm serb.

Në seancën e Këshillit të OKB-së është duke marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Galuk Konjufca.

Në mesnatën e 1 prillit ka hyrë në fuqi heqja e tarifës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës dhe zëvendësimi i saj me masën graduale të reciprocitetit ndaj Serbisë, nga Qeveria në detyrë në krye me Albin Kurti. Kryeministri në detyrë u përball me presion ndërkombëtar për largimin e tarifës, por pa reciprocitet.

Qeveria nuk ka aplikuar asnjë masë ndaj Bosnjë Hercegovinës.

Taksa 100 përqind ishte vendosur nga Qeveria Haradinaj në vitin 2018, si hakmarrje ndaj Serbisë për lobimin kundër (ç)njohjes të pavarësisë së Kosovës dhe kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.