Foto: RTK

COVID-19 nuk ndal minatorët e “Trepçës”

Edhe përkundër situatës së krijuar nga pandemia e coronavirusit, punëtorët e ndërmarrjes “Trepça” po vazhdojnë punën e tyre.

Të gjithë punëtorët, duke përfshirë edhe ata të minierës së “Trepçës” në Stantërg dhe të fllotacionit në Tunel të Mitrovicës, janë duke punuar pa ndërprerje.

Megjithatë, punëtorët kanë marrë masat mbrojtëse të rekomanduara nga institucionet për t’u mbrojtur nga COVID-19.

Kështu tha për KALLXO.com kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje Basri Ibrahimi.

Ai tregoi se cilët punëtorë nuk janë duke punuar.

“Natyrisht që coronavirusi ka ndikuar edhe në “Trepçë”, sepse një pjesë joesenciale të punëtorëve i kemi lëshuar në shtëpi, ata që kanë dy anëtarë të familjes dhe janë brenda “Trepçës”, edhe ata duhet të jenë në shtëpi, që njëri prej tyre të kujdeset për fëmijët”, tha Ibrahimi.

Tutje, ai ka treguar me telashet me të cilat po përballet ndërmarrja në këtë kohë të pandemisë.

Ai thotë se shkaku i coronavirusit çmimet e metaleve në tregun botëror kanë rënë bukur shumë dhe kjo pastaj po u shkakton telashe për inkasimin e mjeteve që u nevojiten.

Ibrahimi ka theksuar se si pasojë e pandemisë po u mbetet sasi e koncentratit për shkak se operatorët ekonomikë po marrin vetëm një sasi të caktuar.

“ Coronavirusi ka ndikuar që operatorët ekonomik që e marrin koncentratin nga ne, mos të kenë mundësi të marrin sasi tjera të koncentrateve për shkak se tregu botëror i metaleve ka ra dhe operatorët ekonomik marrin vetëm sasi të cilat janë të domosdoshme dhe ato që janë të parapara me kontratë, sepse janë të detyruar për me i marr, ndërsa sasia tjetër që neve po na mbetet, ne nuk po kemi ku ta plasojmë sepse ka ndikuar coronavirusi… Do të thotë në këtë aspekt coronavirusi na ka dëmtuar shumë, por që megjithatë presim që kjo kohë të kalojë shpejtë”, shtoi ai.

Më tutje, Ibrahimi ka shtuar se i kanë marrë të gjitha masat sipas rekomandimeve të Qeverisë dhe OBSh-së për t’u mbrojtur nga virusi, nga i cili janë infektuar në Kosovë 94 persona dhe një ka vdekur.

Sipas tij, punëtorët e “Trepçës” përkujdesen për veten e tyre që të mos vijnë deri te ndonjë kontakt eventual me të infektuar.

“Punëtorët e “ Trepçës” janë maksimalisht të përkushtuar për punë, maksimalisht janë duke u ruajtur që mos me ardhë deri te ndonjë kontakt eventual ose që të mos infektohet ndonjëri. Ne i kemi ndërmarrë masat qysh edhe është dashur nga rekomandimet e Qeverisë dhe OBSh-ja “, tha Ibrahimi.

Ai tha se do të ishte mirë që Qeveria ta ndihmojë “Trepçën”, në mënyrë që të ruhet mbarëvajtja e punëve në këtë ndërmarrje.