Burimi: "Prevalenca globale dhe barra e çrregullimeve depresive dhe ankthit në 204 vende dhe territore në vitin 2020 për shkak të pandemisë Covid-19", nga D.F. Santomauro et al., The Lancet, 2021

Covid-19 ka shkaktuar rritje të shpejtë të depresionit dhe ankthit 

Pandemia ka shkaktuar dëme të mëdha për shëndetin fizik të miliona njerëzve. Mirëpo efektet e shëndetit mendor mund të jenë edhe më afatgjata. Një studim i ri i publikuar në revistën mjekësore Lancet, përpiqet të përcaktojë sasinë e ndikimit të Covid-19 në shëndetin mendor dhe mirëqenien në të gjithë botën. Autorët vlerësojnë se rastet e depresionit janë rritur me 53 milionë në nivel global si pasojë e pandemisë, 28% mbi nivelet para-pandemike; rastet e ankthit u rritën me 76 milionë, një rritje prej 26%.

Gratë e kanë pësuar më shumë sesa burrat

Për të arritur në këto shifra, autorët mblodhën të dhënat e sondazhit nga 48 dokumente që raportuan mbi përhapjen e çrregullimeve depresive dhe ankthit gjatë pandemisë në më shumë se një duzinë vendesh kryesisht të pasura dhe i krahasuan ato me të dhënat përkatëse para-pandemike. Autorët zhvilluan një “indeks të ndikimit Covid-19” bazuar në dy masa të lidhura me rritjen e përhapjes së çrregullimeve depresive dhe ankthit: zvogëlimin e lëvizshmërisë dhe shkallën ditore të infektimit me Covid-19. Autorët më pas përdorën këtë indeks për ta vlerësuar ndryshimin në përhapjen e çrregullimeve depresive dhe ankthit në 204 shtete dhe territore.

Ata zbuluan se pandemia ka prekur shëndetin mendor të grave më shumë sesa atë të burrave. Nga 53 milionë raste shtesë të depresionit dhe 76 milionë raste ankthi të vlerësuara për vitin 2020, afërsisht dy të tretat ishin tek gratë. Përgjegjësitë shtëpiake të marra gjatë bllokadës si rezultat i pandemisë Covid-19 mund ta kenë pjesërisht fajin për këtë. Një sondazh britanik i kryer në muajin prill dhe muajin maj 2020 zbuloi se gratë po shpenzonin afërsisht 50% më shumë kohë në punët e shtëpisë dhe gati dy herë më shumë kohë në kujdesin e fëmijëve në raport me burrat. Gratë që kanë kaluar më shumë kohë në një punë të tillë të papaguar të kujdesit kanë tendencë të raportojnë nivele më të larta të shqetësimit psikologjik.

Në shtetet e varfra, pandemia shkaktoi probleme të tjera për gratë. Agjencia e Kombeve të Bashkuara UNESCO, vlerëson se 11 milionë vajza të të cilat e kanë braktisur shkollën gjatë pandemisë nuk mund të kthehen asnjëherë më në klasat e tyre, duke rritur rrezikun që ato t’i nënshtrohen martesës së hershme dhe abuzimeve të tjera.

Rajonet e trazuara duket se vuanin më shumë. Sipas vlerësimeve të autorëve, rastet e depresionit u rritën me 37% në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme, më shumë se çdo rajon tjetër. Sa i përket ankthit t, Azia Jugore ka dëshmuar rritjen më të madhe, me një kapërcim të vlerësuar prej 35%. Qytetarët e Azisë Juglindore, Azisë Lindore dhe Oqeanisë u treguan diç më fleksibile. Edhe pse shumë vende në atë pjesë të botës kanë imponuar disa nga kontrollet më të rrepta kufitare, ato gjithashtu gëzonin disa nga nivelet më të ulëta të shkallës së vdekshmërisë.

Ka disa kufizime në këtë studim. Shumica e të dhënave kanë ardhur nga vendet e pasura, që do të thotë se vlerësimet për pjesët më të varfra të botës mund të jenë të pasakta. Për më tepër, të dhënat në modelin e studiuesve ishin në shumicën e rasteve të bazuara në simptoma të vetë-raportuara dhe jo në diagnoza mjekësore. Ndërkohë, sëmundjet e tjera mendore, të tilla si çrregullimet e të ngrënit, të cilat gjithashtu mund të jenë prekur nga pandemia, nuk u janë përfshirë në këtë studim. Sidoqoftë, gjetjet e studimit tregojnë një mënyrë tjetër në të cilën kostoja e vërtetë e pandemisë është shumë më e madhe se sa ishte kuptuar fillimisht.

Përgatiti: Nuhi Shala