Performancë gjatë Festivalit UNUM Foto nga Valeriu Catalineanu

COVID-19, anulohet UNUM festival

Për shkak të pandemisë së coronavirusit të ri SARS-CoV-2, organizatorët kanë njoftuar anulimin e festivalit UNUM 2020 që do të mbahej në Shëngjin, duke premtuar se do të rikthehen një vit më vonë.

I planifikuar për t’u organizuar në muajin qershor, festivali ndërkombetar i muzikës elektronike do t’i mungojë Shëngjinit këtë sezon turistik.

Anulimi i edicionit të dytë të këtij eventi mjaft të rëndësishëm ka ardhur si shkak i situatës së krijuar nga pandemia globale e COVID-19.

Në një njoftim të postuar në faqen e festivalit, organizatorët nënvizuan se të nxitur nga “reagimet e shumta, mbështetja e paimagjinueshme dhe dashuria e pastër “që morën në edicionin e parë të Festivalit UNUM, ata kanë punuar pa u lodhur gjatë gjithë vitit për edicionin e dytë – UNUM 2020, por por gjithçka u ndal papritmas për shkak të pandemisë.

“Ne kemi vendosur të anulojmë zyrtarisht UNUM 2020 – parashikuar të zhvillohej këtë verë – për shkak të pandemisë COVID-19,” theksuan organizatorët.

“Pas kufizimeve të sanksionuara nga qeveria shqiptare, dhe duke monitoruar nga afër situatën në zhvillim në të gjithë globin, është me vend që të anulojmë UNUM 2020,” shtuan ata, duke paralajmëruar se festivali do të kthehet në verën e vitit 2021.

UNUM festival u organizua për herë të parë në vendin tonë në brigjet e Shëngjinit në vitin 2019, ndërsa ky organizim mblodhi mijëra turistë nga e gjitha bota. Anulimi i këtij eventi ndërkombëtar do të jetë një goditje e rëndë për turizimin në zonën turistike të Shëngjinit, pasi janë mijëra pronotime që janë anuluar.

Organizatorët nënvizuan se përveç çështjeve shëndetësore që do të lindnin nga mbledhja e mijëra vetëve, i gjithë procesi i përgatitjes do të kishte qenë “logjikisht i pamundur dhe moralisht i gabuar” për të gjithë ekipin në kushtet e epidemisë.

“Ne mezi prisnim t’ju sjellim një edicion të dytë të botëror, mbasi i pari ishte thjesht i mahnitshëm dhe motivues për ne,” thanë ata.

UNUM Festival planifikon të kthehet në verën e vitit 2021, nga 3 qershori deri më 7 qershor. Të gjithë mbajtësit e biletave kanë të drejtë për rimbursim në pikën e blerjes. Blerësit kanë gjithashtu mundësi për të transferuar prenotimin e tyre në edicionin UNUM 2021.

“Kohët janë të vështira, por ne ju premtojmë se fryma jonë për t’u bërë një nuk do të përulet kurrë para asnjë virusi apo force tjetër botërore,” deklaruan organizatorët.

“Edhe kjo do të kalojë, dhe ne do ta shohim përsëri njëri-tjetrin nën pisha, pranë plazhit, apo në dyshemenë kryesore të vallëzimit,” theksuan ata, duke u lutur që deri atëherë të gjithë të ndjekin rregullat e distancimit social dhe të qëndrojnë brenda.

“Le të shpërthejë muzika në dhomat e tuaja, virusi nuk ka se çfarë t’i bëje tingujve gjithsesi,” përfundon njoftimi i UNUM./Reporter.al