Projekti për zonën rreth Liqenit Akumulues - Foto: Komuna e Mitrovicës

Coronavirusi, qytetarëve të Mitrovicës iu ndalohet frekuentimi i Liqenit Akumulues

Shtabi emergjent i Mitrovicës, sot ka marrë vendim për ndalimin e hyrjes së qytetarëve tek hapësirat e Liqenit Akumulues.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka mbajtur mbledhjen e radhës me shtabin emergjent të Komunës së Mitrovicës, i cili po vazhdon me monitorimin e gjendjes aktuale dhe zbatimin e masave parandaluese në mbrojtje të virusit COVID-19.

Në këtë mbledhje u potencua se deri më tani në Mitrovicë nuk ka të verifikuar asnjë rast me virusin COVID-19, dhe stafi mjekësor në QKMF “Dr. Nexhat Çuni” dhe Spitali Rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri” vazhdojnë me ofrimin e shërbimeve 24 orë për qytetarët e Mitrovicës.

Gjithashtu shtabi emergjent u dakorduan të merret edhe një masë shtesë preventive ndaj këtij virusi, duke ndaluar hyrjen e të gjithë qytetarëve në hapësirat përgjatë Liqenit Akumulues, përveç punëtorëve të kompanisë kontraktuese të cilët janë duke i kryer punimet në ato pjesë.

Ky vendim është marrë me qëllim që të mbrohet shëndeti i gjithë qytetarëve.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 21 persona të infektuar me virusin COVID-19.