Çmimi Nobel për Paqe i gazetarit rus Dmitry Muratov shitet për 103.5 milionë dollarë

Sot, është dita e 118 e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Rusia ka dërguar dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë më 24 shkurt të këtij viti me qëllim të degradimit të kapaciteteve ushtarake të Ukrainës dhe të çrrënjosjes së njerëzve që i ka quajtur nacionalistë të rrezikshëm.

Forcat ukrainase janë përgjigjur me rezistencë të ashpër ndaj luftës.

Perëndimi ka vendosur sanksione të pashembullta ndaj Rusisë me qëllim që kjo e fundit të tërhiqet nga lufta mirëpo kur kjo nuk ndodhi atëherë Perëndimi, i udhëhequr nga SHBA dhe Britania e Madhe kanë nisur me armatosjen e Ukrainës me armë dhe logjistikë të ndryshme përfshirë edhe raketat e prodhimit më të ri. 

Rusia e sheh ndihmën ushtarake të përendimit si një përfshirje në këtë luftë dhe zotohet se do t’ë përgjigjet ndaj cilitdo reagimi ushtarak. 

Në ndërkohë zhvillimet më të fundit gjatë natës dhe ditës së djeshme në luftën e Ukrainës janë si në vijim: 

Rusia ka kërkuar që Lituania të heqë menjëherë vendimin mbi ndalimin e tranzitit të mallrave në listën e sanksioneve të BE-së përmes territorit të saj drejt enklavës ruse të Kaliningradit. Ministria e Jashtme e Rusisë i kërkoi Vilniusit ta kthejë menjëherë atë që e përshkroi si një veprim të “haptë armiqësor”, duke paralajmëruar se Rusia do të përgjigjet për t’i mbrojtur interesat e saj. Ministria tha gjithashtu se do ta thërrasë ambasadorin e Bashkimit Evropian në Moskë, Markus Ederer, lidhur me këtë vendim.

Rusia i ka mbledhur pothuajse të gjitha forcat e saj për t’i sulmuar vendbanimet pranë qytetit lindor të sulmuar të Sievierodonetsk, sipas zëvendësministres së mbrojtjes së Ukrainës, Hanna Maliar. Betejat “vendimtare” po zhvillohen në zonën e Sievierodonetsk me udhëheqjen ruse që synon t’i arrijë kufijtë e rajonit të Luhansk deri në fund të javës, citohet të ketë thënë Maliar.

Zyrtarët rusë kanë akuzuar Ukrainën për lëshimin e sulmeve me raketa kundër tri platformave të gazit në Detin e Zi në jug të Odesës, në një përshkallëzim të dukshëm të përpjekjeve të Kievit për ta dobësuar dominimin detar të Rusisë. Shtatë persona u raportuan të zhdukur dhe tre të plagosur pas sulmeve të së hënës, sipas kreut të Krimesë së pushtuar, Sergej Aksyonov.

Çmimi Nobel për Paqe i fituar nga gazetari dhe redaktori i gazetës së pavarur ruse Novaya Gazeta Dmitry Muratov është shitur për 103.5 milionë dollarë në një ankand. Muratov e shiti medaljen për të mbledhur fonde për fëmijët ukrainas të zhvendosur nga lufta.

Bllokada ruse e eksportit të miliona tonë drithërave ukrainase është një krim lufte, ka thënë shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. “Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të zhbllokojë portet … Është e paimagjinueshme, nuk mund të imagjinohet që miliona tonë grurë të mbeten të bllokuara në Ukrainë, ndërsa në pjesën tjetër të botës njerëzit vuajnë nga uria,” tha ai.

Turqia tha se nuk e konsideron samitin e NATO-s të javës së ardhshme si një afat përfundimtar për zgjidhjen e kundërshtimeve të saj ndaj bashkimit të Finlandës dhe Suedisë në aleancën ushtarake. Zëdhënësi i presidentit turk, Ibrahim Kalin, raportoi se nuk ka ndonjë progres në bisedimet në Bruksel, por tha se diskutimet midis Ankarasë, Stokholmit dhe Helsinkit do të vazhdojnë.

Amerikanët e kapur në Ukrainë janë përshkruar nga Moska si “mercenarë” të përfshirë në aktivitete të paligjshme dhe duhet të marrin përgjegjësinë për “krimet” e tyre. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se të arrestuarit nuk mbuloheshin nga konventat e Gjenevës pasi nuk ishin trupa të rregullta, sipas agjencisë ruse të lajmeve RIA.

Shtetet e Bashkuara janë në bisedime me Kanadanë dhe aleatët e tjerë për t’i kufizuar më tej të ardhurat energjetike të Moskës duke vendosur një kufi çmimi për naftën ruse, u tha gazetarëve të hënën Sekretarja e Thesarit Janet Yellen. “Ne po flasim për kufijtë e çmimeve ose një përjashtim të çmimeve … që do ta ulte çmimin e naftës ruse dhe do t’i zvogëlonte të ardhurat e Putinit, ndërkohë që do të lejonte më shumë furnizim me naftë të arrinte në tregun global,” tha ajo.

Ish-drejtori i forcave speciale britanike ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar duhet të “përgatitet për luftë” si një pengesë kundër Rusisë. Komenti i gjeneralit Sir Adrian Bradshaë erdhi pasi udhëheqësi i ri i ushtrisë britanike, gjenerali Sir Patrick Sanders, u tha trupave se duhet të përgatiteshin “për të luftuar edhe një herë në Evropë”.

Putin i frikësohet “shkëndijës së demokracisë” që përhapet në Rusi, sipas kancelarit gjerman Olaf Scholz, i cili tha se presidenti rus po përpiqet ta ndajë Evropën dhe të kthehet në një botë të dominuar nga sferat e ndikimit. “Presidenti rus duhet ta pranojë se ekziston një komunitet i demokracive të bazuara në ligj në lagjen e tij që po afrohet gjithnjë e më shumë. Ai i frikësohet qartë shkëndijës së demokracisë që përhapet në vendin e tij”, tha Scholz për gazetën Muenchner Merkur.

Vendimi i ardhshëm nëse do t’i jepet Ukrainës kandidatura për anëtarësim në BE po e bën Rusinë “shumë nervoze”, tha presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy në fjalimin e tij të fundit të natës të hënën mbrëma. “Po shkojmë drejt vendimit kryesor të Këshillit Evropian, i cili do të miratohet të premten. Siç e parashikova, Rusia është shumë nervoze për aktivitetin tonë.”

Pallatet, jahtet dhe vreshtat që thuhet se i janë dhënë Vladimir Putinit nga miqtë dhe oligarkët tani mund të lidhen me atë që duket të jetë një rrjet informal që mban asete me vlerë më shumë se 4.5 miliardë dollarë. Një gjurmë letre dixhitale duket se sugjeron se një sërë shtëpish pushimi dhe asetesh të tjera që thuhet se përdoren nga presidenti rus janë të lidhura përmes një emri të përbashkët domeni emaili, LLCInvest.ru./ The Guardian