Paralajmërimi për një përplasje bërthamore nga gazetari rus, fitues i çmimit Nobel

Autoritetet ruse mund t’ia kenë mbyllur gazetën e tij, mirëpo gazetari Dmitry Muratov refuzon të heshtë.

Kur u takuam në Moskë, kryeredaktori i Novaya Gazeta dhe laureati rus i Çmimit Nobel për Paqe ishte i shqetësuar se sa larg do të shkojë Kremlini në përballjen e tij me Perëndimin.

“Dy breza kanë jetuar pa kërcënimin e luftës bërthamore”, më thotë zoti Muratov. “Mirëpo, kjo periudhë tani ka marrë fund. A do të shtypë Putin butonin bërthamor apo jo? Kush e di? Askush nuk e di këtë. Nuk ka asnjë person që mund ta thotë me siguri”.

Që nga dita kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, frikësimi dhe lufta psikologjike bërthamore e Moskës ka qenë e zhurmshme dhe e shpeshtë.

Zyrtarët e lartë kanë dhënë sugjerime jodelikate se vendet perëndimore të cilat e armatosin Ukrainën nuk duhet t’i bëjnë shumë presion Rusisë. Pak ditë më parë, presidenti rus Vladimir Putin i njoftoi planet e tij për të vendosur armë bërthamore taktike në Bjellorusi.

Pastaj një nga ndihmësit e tij më të afërt, Nikolai Patrushev, paralajmëroi se Rusia kishte një “armë unike moderne të aftë për të shkatërruar çdo armik, përfshirë Shtetet e Bashkuara”.

Bllof dhe rrëmujë? Apo një kërcënim që duhet marrë seriozisht? Muratov ka gjetur shenja shqetësuese brenda Rusisë.

“Ne shohim se si propaganda shtetërore po i përgatit njerëzit të mendojnë se lufta bërthamore nuk është një gjë e keqe”, thotë ai. “Në kanalet televizive këtu, lufta bërthamore dhe armët bërthamore promovohen asisoji sikur reklamojnë ushqim për kafshët shtëpiake”.

Njoftimi i tyre bëhet në këtë mënyrë: “Ne e kemi këtë raketë, atë raketë, një lloj tjetër rakete”. Ata flasin për vëninennë shënjestër të Britanisë dhe Francës; për ndezjen e një cunami bërthamor që e fshin Amerikën nga toka. Pse e thonë këtë? Që njerëzit këtu të jenë gati”.

Në televizionin shtetëror rus kohët e fundit, një drejtues i shquar i talk-shoë sugjeroi që Rusia “duhet të shpallë çdo objektiv ushtarak në territorin e Francës, Polonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar një objektiv legjitim për [Rusinë]”.

I njëjti prezantues ka sugjeruar gjithashtu, “rrafshimin e një ishulli me armë bërthamore strategjike dhe kryerjen e një lëshimi provë ose gjuajtje të armëve bërthamore taktike në mënyrë që askush të mos ketë iluzione”.

Megjithatë, propaganda shtetërore këtu e portretizon Rusinë si një vend paqeje, dhe Ukrainën dhe Perëndimin si agresorë. Shumë rusë e besojnë një gjë të tillë.

“Njerëzit në Rusi janë rrezatuar nga propaganda”, thotë zoti Muratov. “Propaganda është një lloj rrezatimi. Të gjithë janë të ndjeshëm ndaj tij, jo vetëm rusët. Në Rusi, propaganda është dymbëdhjetë kanale televizive, dhjetëra mijëra gazeta dhe media sociale si VK [versioni rus i Facebook] që i shërben plotësisht ideologjisë së shtetit”.

“Po sikur nesër propaganda të ndalet papritur?” Unë pyes. “Nëse gjithçka heshtet? Çfarë do të mendonin rusët atëherë?”.

“Gjenerata jonë e re është e mrekullueshme”, përgjigjet zoti Muratov. “Është e arsimuar mirë. Gati një milion rusë janë larguar nga vendi. Shumë nga ata që kanë qëndruar janë kategorikisht kundër asaj që po ndodh në Ukrainë. Ata janë kundër ferrit që Rusia ka krijuar atje.

“Jam i bindur se sapo të ndalohet propaganda, kje gjeneratë – dhe të gjithë të tjerët me arsye të shëndoshë – do të flasin”.

“Ata tashmë po e bëjnë këtë”, vazhdon ai. “Njëzet e një mijë çështje administrative dhe penale janë hapur kundër rusëve që kanë protestuar. Opozita është në burg. Mediat janë mbyllur. Shumë aktivistë, civilë dhe gazetarë janë etiketuar si agjentë të huaj.

“A e ka Putini një bazë mbështetëse? Po, një bazë të madhe. Por këta janë njerëz të moshuar që e shohin Putinin si nipin e tyre, si dikë që do t’i mbrojë dhe që u sjell pensionin çdo muaj dhe i uron Vitin e Ri çdo vit. Këta njerëz besojnë se nipërit e tyre të vërtetë duhet të shkojnë dhe të luftojnë dhe të vdesin”.

Vitin e kaluar zoti Muratov nxori në ankand çmimin e tij Nobel për Paqen për të mbledhur para për fëmijët refugjatë ukrainas. Ai ka pak optimizëm për të ardhmen.

“Kurrë më nuk do të ketë marrëdhënie normale midis popullit të Rusisë dhe Ukrainës? Kurrë. Ukraina nuk do të jetë në gjendje të pajtohet me këtë tragjedi”.

“Në Rusi shtypja politike do të vazhdojë kundër të gjithë kundërshtarëve të regjimit”, shton ai.

“Shpresa e vetme që kam qëndron tek gjenerata e re, ata njerëz që e shohin botën si mik, jo si armik dhe që duan që Rusia të jetë e dashur dhe që Rusia ta dojë botën”.

“Shpresoj që kjo gjeneratë të jetojë më shumë se unë dhe Putini”./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala