Çka përmbajnë fletushkat që u shpërndanë dje në Mitrovicë të Veriut?

“S’ka dorëzim” – kështu u shkrua në njërën nga fletushkat që u shpërndanë në Mitrovicë të Veriut, pas protestës që u mbajt të hënën më datë 12.02.2024, në të cilën u kundërshtua rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës.

Fletushka në fjalë rendit 10 pika për të cilat pritet që të protestohet më 24 shkurt të këtij viti.

Serbët lokal të veriut të Kosovës pritet që të protestojnë kundër disa vendimeve që janë marr nga institucionet e Kosovës, e të cilat nga ana e tyre janë cilësuar si shkelje e të drejtave.

  1. Numri i telefonit
  2. Ujmani
  3. Targat
  4. Librat amëz
  5. Dokumentet personale
  6. Valaç (nënstacion elektroenergjetik në Zveçan)
  7. Gjyqësori
  8. Policia
  9. Dogana
  10. Dinari

 

Këto janë pikat që u renditën në fletushkën që u shpërnda dje në Mitrovicë të Veriut, sipas Policisë nga persona të panjohur.

KALLXO.com ka kontrolluar edhe grupet në rrjetin social ‘Telegram’, në të cilin është parë të jetë shpërndarë e komentuar kjo thirrje: “Për ne nuk ka dorëzim asnjëherë, Kosova është zemra e Serbisë. Protesta nis në ora 18:00 tek ‘Car Llazari’ dhe përfundon tek objekti i kishës dhe do të kërkojmë nga kisha që të fillojmë me lutje për mbrojtje të Kosovës”.

Këto fletushka u shpërndanë gjatë e pas protestës qytetarëve që morën pjesë e të tjerë që ishin kalimtarë të rastit.

KALLXO.com mëson se përpos kësaj janë shpërndarë edhe fletushka të tjera, e të cilat bëjnë thirrje për sulme ndaj Policisë së Kosovës.

Edhe në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës u tha se persona të pa njohur nëpër hyrje të ndërtesave dhe rrugë të ndryshme kanë shpërndarë fletushka që lidhet me veprën penale “Nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, fetar, racor dhe etnik”.

Rasti u tha se është duke u hetuar.

KALLXO.com ka kontaktuar me zëvendësdrejtorin e Policisë në rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani lidhur me këtë rast.

Ai ka thënë se pas konsultimit me prokurorin e Prokurorisë Themelore dhe atë Speciale është hap rasti “thirrje për rezistence dhe nxitje e urrejtjes”.

Elshani tregoi se nuk ka ende të dyshimtë e as të arrestuar lidhur me rastin.

Rreth 1 mijë e 800 serbë kanë protestuar në Mitrovicën e Veriut kundër rregullores së BQK-së, ata po e cilësojnë këtë si sulm e diskriminim ndaj tyre.

Rregullorja përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin.

Protesta u thirr nga Shoqata e Pensionistëve, e u përkrah edhe nga të tjerët. Përfaqësuesja e pensionistëve tha se vendimi për dinarin serb ‘ia merr kafshatën e bukës’.

Vendet e QUINT-it dhe SHBA kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës të shtyjë zbatimin e Rregullores së BQK-së.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk do të hiqet dorë nga vendimi, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e cilësoi këtë vendim si “sulm” ndaj popullatës serbe në Kosovë.

Kurti: Nuk mund ta zhbëjmë vendimin për dinarin serb

 

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), përmes një plani 10 pikësh, njoftoi të hënë (12.02.2024) se ka vendosur t’i ndërmarrë disa veprime shtesë me synim të lehtësimit të zbatimit të Rregullores për operacione me para të gatshme në komunitete të caktuara në Kosovë.

Ky plan, sipas BQK-së, pritet të realizohet në një afat sa më të shkurtër, por jo më gjatë se tre muaj, në bashkëpunim edhe me bankat dhe institucionet tjera financiare.

Plani 10 pikësh i BQK-së për zbatim të lehtësuar të Rregullores për operacione me para të gatshme